E DIELA E TË PARALIZUARIT

E DIELA E TË PARALIZUARIT

E DIELA E TË PARALIZUARIT
(Joani 5:1-15)
VULLNETI YNË DHE PERËNDIA
“A dëshiron të shërohesh?”
(v. 6).

I paralizuari pa të huajin dhe u habit. Çfarë pyetje ishte ajo që i drejtonte: “Nëse donte të shërohej”? Mos donte gjë tjetër? Tridhjetë e tetë vite të tëra jetonte me atë pritje shpresëtare, me atë dëshirë të zjarrtë. Shpresa e shërimit e bëri të presë kaq kohë në atë vend çudibërës të Betesdasë, duke pritur mrekullinë, por ishte i vetmuar. Asnjë njeri nuk kishte që ta ndih- monte, “që kur të trazohen ujërat, ta vërë atë në pellg” (v. 7).
***
“A dëshiron të shërohesh?”
Në të vërtetë, si pajtohet kjo pyetje paradoksale me faktin që Vetë Zoti e dinte se i paralizuari prej tridhjetë e tetë vitesh priste me durim shërimin? Kjo pyetje ka shumë kuptim. Sepse, së pari, me të fillon të shfaqet premtimi i shërimit dhe ftohet i paralizuari të marrë guxim e të tregojë besim ndaj atij që e pyet. Së dyti, sepse, siç do të shohim në vazhdim, i paralizuari vuante nga mëkatet e tij. Mëkati ishte shkaku dhe paraliza pasoja. Dhe, sigurisht, donte, çlirimin nga pasoja, por duhej që të shfaqte vullnetin e tij edhe për shkakun, për mëkatin. Sepse është e pamundur të shërohet njeriu nga mëkati, nëse nuk e dëshiron realisht dhe përfundimisht.
***
“A dëshiron të shërohesh?”
Këtë pret. Por, edhe për këtë e pyet Mjeku i shpirtrave dhe i trupave, nëse dëshiron të shërohet. Sepse vullneti nevojitet këtu, i gjithë vullneti i njeriut, i gjithë vullneti i lirë dhe pëlqimi i padhunuar i njeriut që dhe të mëkatojë, dhe të pendohet. Me dhunë nuk mëkaton kush. Do dhe mëkaton. Po ashtu, me anë të dhunës nuk pendohet kush. Do, dhe pendohet.
Zoti e respekton lirinë me të cilën na pajisi. Dhe kur na fton afër Tij, kërkon, që ta ndjekim me vullnetin tonë. Kush do dhe nëse do, e ndjek. Vullneti, vendimi, zgjedhja, parapëlqimi janë privilegjet tona. Është një dhuratë shumë e çmuar, të cilën e menaxhojmë nën përgjegjësinë tonë. Dhe kjo përgjegjësi është shumë serioze. Është përgjegjësi që ka pasoja të mëdha në të tashmen, por edhe në të ardhmen tonë të përjetshme. Por, fatkeqësisht, vullneti ynë, zgjedhja jonë, parapëlqimi ynë, priret më shumë drejt së keqes dhe mëkatit. Dhe i paralizuari i Ungjillit, siç duket, kishte rënë me dëshirën e tij në mëkat. Parapëlqeu rrugën e kënaqësive mëkatare dhe, si pasojë e kësaj zgjedhjeje, erdhi paraliza e pashërueshme. Donte dhe pësoi.
Edhe ne, duam dhe mëkatojmë, dhe grumbullojmë faje në shpirtin tonë. Nëse nuk duam, asgjë nuk mund të na detyrojë. Por edhe Perëndia e respekton lirinë tonë dhe nuk na merr me dhunë në rrugën e Tij. Nxit, lejon, lut dhe paralajmëron. Që këtej e tutje po-ja apo jo-ja është jona. Por dhe për çlirimin tonë nga e keqja dhe mëkati, vlen e njëjta gjë. Dhe përsëri Perëndia i mirë pyet: Do të shërohesh, dëshiron shëndetin e shpirtit tënd, gëzimin tënd, shpëtimin tënd?
***
“Dua”, provë bindjeje.
Në këto raste “dua” dhe “po” janë provë përulësie dhe bindjeje te Zoti. Është pranim se vetë nuk mund të shpëtohemi dhe për këtë kërkojmë ndërhyrjen e Perëndisë. Kjo u bë edhe me të paralizuarin. E pyeti Zoti, nëse do që të shërohet, që ta kërkojë vetë. Kështu, vullneti që është bërë herë të tjera drejtues për në fatkeqësinë e mëkatit, të tërheqë tani ndërhyrjen hyjnore dhe shërimin.
Por, habia e tij e parë u bë tronditje kur dëgjoi përgjigjen: “Çohu, ngri shtratin tënd dhe ec” (v. 8). Ajo që për vite priste me padurim, tani u bë papritur, në një çast, krejtësisht ndryshe nga ç’e priste. Shikimi i tij i tronditur, por edhe këmbëngulës, u drejtua nga shikimi i thellë dhe i qetë i Zotit. Në ato pak sekonda u gjykua diçka e madhe. I paralizuari iu bind urdhrit, duke mënjanuar çdo hezitim. Dhe me këtë qëndrim, na la një prototip të mrekullueshëm për mënyrën me të cilën duhet të pranojmë disa këshilla të çuditshme të Krishtit. Ndoshta, edhe mund të mendohej kur dëgjoi “çohu, ngri shtratin tënd”: “Si të çohem dhe të ngre shtratin tim? Nuk mundem.” Por, asgjë nga këto nuk kalon nga mendja e tij. Gjithë shfaqja e Zotit krijon kaq besim, saqë shpejton t’i bindet. Duhej që të ngrihej dhe të ecte. Domethënë, të pranojë dhe të përpiqet të bëjë atë që i urdhëroi Zoti. Pikërisht mbi përpjekjen do të merrte fuqinë që ta realizonte.
Le ta kemi shumë kujdes këtë pikë, vëllezërit e mi. Shumë herë disa porosi të Zotit jehojnë disi të çuditshme brenda nesh. Logjika jonë, zemra jonë mëkatare i pranojnë me vështirësi. Në kundërshtim me ngurrimin tonë të parë, le të kujdesemi që t’i zbatojmë me zell. Dhe, mbi këtë përpjekje, Perëndia do të na japë, si shpërblim të besimit tonë, fuqinë që kërkohet.
Që të flasim më qartë, le të kujtojmë disa porosi të Shpëtimtarit, që në pamje të parë na duken të habitshme. “Të doni armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë…”, thotë Zoti. Por si mund të bëhet kjo? -pyesim veten atëherë. “Le të jetë po-ja jonë po dhe jo-ja jonë jo”, thekson Zoti. Jo dinakëri, jo hipokrizi, jo gënjeshtra. Po, por … në shoqërinë e sotme diçka e tillë a është e mundur? Mërmërisim gjithë mëdyshje. Sot, gënjeshtra është bërë regjim. “Nëse dikush do të të hedhë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin” (Matth. 5:40). Fjala e Shpëtimtarit dëgjohet qartë, qëndron e kulluar në Ungjill. Por, shpesh na duken të “pazakonta” në mendësinë tonë, të paarritshme, të papranue- shme për kushtet e jetës sonë. Zemra jonë është e mbushur me rezerva për mundësinë e zbatimit të tyre. Por këtu do të provohet bindja jonë te Krishti. Nëse do të fillojmë me “por, ama”, do të mbetemi të paralizuar në krevatin e egoizmit, të mungesës së sinqeritetit, të moskokëçarjes dhe të mëkatit. Nëse nxitojmë t’i bindemi dhe të zbatojmë me dëshirë porosinë e Krishtit, do të marrim fuqi prej së larti dhe do të shohim të pamundurat të bëhen të mundura.
***
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin.
Le të mos kemi asnjë ngurrim. Është tregues mirënjohjeje dhe besimi ndaj Bamirësit tonë, nëse u bindemi me plot zell porosive të Tij, duke lënë mënjanë ngurrimet e zemrës dhe duke mos u interesuar se çfarë thotë bota. Është çështje pasoje dhe ndërgjegjeje të ecim ashtu si dhe ku urdhëron Zoti, duke zbatuar me gëzim çfarëdo që të na tregojë.
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 10.05.2009