Shenjtori i ditës – 05 Maj

- DËSHMORE E MADHE IRINI -

Nuk kemi të dhëna autentike për jetën e saj. Megjithatë po japim aq sa dihet për të: Kishte një bukuri të rrallë. Ishte fëmijë i vetëm e Likinit dhe Likinisë, arkondë të një qyteti persian. Qysh në moshën 6-vjeçare, u mbyll nga prindërit në një kullë, siç qe zakoni atëherë, dhe rritej në kujdestarinë e pedagogut të saj, plakut Apelian, që paraqitet si jetëshkruesi i saj. Pasi ajo pa një vegim i cili, sipas Apelianit, paralajmëronte martirizimin dhe lavdinë e saj, thuhet se engjëlli e thirri me emrin Irini (greqisht do të thotë: paqe) ndërsa quhej Pinelopi dhe i mësoi besimin e krishterë. Sapo u pagëzua, theu idhujt e babait dhe ai, i zemëruar, i lëshoi kuajt për ta shkelur, por ata vranë të atin. E bija e ngjalli dhe kështu ai besoi dhe u pagëzua së bashku me të ëmën e saj e shumë të tjerë dhe jetoi me pendim, derisa vdiq. Një sërë sovranësh ia nënshtruan shenjtoren torturave të paimagjinueshme dhe të njëpasnjëshme: E hodhën në gropë me gjarpërinj, i prenë me sharrë këmbët, e kaluan nga “rrota”, e detyruan të transportonte pesha me gozhdë nëpër këmbë, e vendosën mbi buaj bakri të skuqur dhe disa herë brenda në zjarr… Nga torturat shpesh dilte e padëmtuar dhe, si rezultat, mijëra idhujtarë bëheshin të krishterë. Gjithashtu njëherë ajo verboi një ushtri të tërë, por më pas i shëroi. Por, kur ata u treguan mosmirënjohës, u hap dheu dhe përpiu shumë prej tyre. Kështu mbreti persian, Sapori II (310-379), u detyrua t’i priste kokën. Por ajo u ngjall prej një engjëlli dhe iu shfaq monarkut. Më pas u ngrit nga një re dhe shkoi në Efes, ku jetoi për njëfarë kohe, predikoi dhe kreu mrekullira. Aty, jashtë qytetit, gjeti një varr të ri, ku, pasi hyri, urdhëroi Apelianin të vendoste sipër një gur. Pas dy ditësh, ai pa gurin të ngritur dhe varrin të zbrazët.

- OSHËNAR EFTHIMI I MADITËS -

Shën Efthimi lindi në fillim të shek. X, në një fshat të Thrakës, që ndodhet në bregun e Propontidës. E ëma e çoi në një manastir të Konstandinopojës, ku për më shumë se 30 vjet shkëlqeu me virtytet. Nga dëshira për të jetuar si hezikast, u tërhoq diku jashtë qytetit dhe për 4 vjet me radhë bënte fshehurazi beteja asketike, duke biseduar vetëm për vetëm me Perëndinë. Episkopi i Perinthos (Propontidë), kur pa virtytet e shquara të asketit, e hirotonisi dhjak pa dëshirën e tij. Pastaj Efthimi u hirotonis episkop i Maditës (Madita), në Helespont. Për 40 vjet u dallua si bari vigjilent dhe administrator besnik i hirit hyjnor. Me mësimet e tij u solli shumë besimtarëve jo vetëm shërimin e shpirtit, por, me mrekullitë që bënte dhe atë të trupit. Gjatë zisë së bukës, që pllakosi më 989, episkopi i shenjtë shpenzoi pa masë dhe arriti të mblidhte ushqime të mjaftueshme për të shpëtuar grigjën e tij. Fama i arriti deri te perandori Vasili II (976-1025), i cili e vizitoi në dioqezën e tij. Efthimi i paratha se do të dilte fitimtar mbi Bardas Fokan (989). Shenjtori fjeti në paqe disa vjet më vonë, i rrethuar nga bijtë shpirtërorë. Në vazhdim, shumë të sëmurë gjetën shërim pranë varrit të tij, nga ku buronte balsam erëmirë.
– DËSHMOR I RI EFREMI –
Nuk dinim asgjë për hieromartirin e shenjtë Efrem, deri më 3 janar të vitit 1950, kur ai vetë na zbuloi vendin e varrit të tij, në manastirin e vjetër të Ungjillëzimit, në malin e të Panjollshmëve (Amomoi), në Nea Makri të Atikës. Që nga viti 1965 e deri më sot, shenjtori iu është shfaqur shumë herë murgeshave të manastirit dhe pelegrinëve të ndryshëm, qoftë në gjumë apo dukshëm, i shoqëruar nga një dritë e madhe dhe një aromë e mirë, duke u rrëfyer me hollësi ndodhi të jetës e të martirizimit të tij. Shën Efremi u bë murg në moshën 14-vjeçare, në një manastir të shkëlqyer në atë kohë. Pas 27 vjetësh jete asketike u kap nga turqit, të cilët u prenë kokën të gjithë murgjve të tjerë dhe shkatërruan manastirin. Që nga 14 shtatori i vitit 1425 e deri më 5 maj 1426, shenjtori hoqi shumë tortura. Më në fund, barbarët e varën kokëposhtë, duke i gozhduar duart dhe këmbët në një pemë dhe më pas e dogjën. Që nga ky zbulim, shenjtori nuk ka pushuar së treguari se është i gjallë në Perëndinë, nëpërmjet shfaqjeve e shërimeve. Shfaqet si një asket i dobët me veshje murgërore dhe, duke u përkulur, thotë: “Më quajnë Efrem!”. Shëron sëmundje të pashërueshme, forcon besimin e pakët, çliron nga rreziku apo zjarri, ngushëllon të pikëlluarit, duke u treguar vuajtjet që ai vetë ka hequr për dashurinë e Krishtit. Në vitin 1982, shën Efremi iu shfaq një besimtari, së bashku me hieromartirin Rafael të Mitilinit, i cili gjithashtu u shfaq kohët e fundit në rrethana të ngjashme (9 prill). Duket se Zoti, me këtëmënyrë, do që të tregojë profetikisht se sot, ashtu si dhe dje, gëzohet me shenjtorët e Tij dhe derdh nëpërmjet tyre hirin e Tij për ndërtimin e Kishës dhe për ngushëllimin e besimtarëve.