Shenjtori i ditës – 22 Maj

- DËSHMOR JOAN VLADIMIRI -

Lindi në fshatin Vladimir (nga del dhe emri i tij) të Krajës, në Malin e Zi afër Shkodrës, dhe u bë mbret. Ishte i drejtë dhe i pastër në moral dhe ndihmoi në shtrirjen e Orthodhoksisë. Njëherë, kur udhëtonte në shtetin e tij me gjeneralët, dalloi në një pyll afër Elbasanit një shqiponjë. Shqiponja kishte në krahët e saj një kryq të ndritshëm, të cilin e lëshoi në tokë para se të fluturonte dhe të zhdukej. Monarku mori kryqin me devotshmëri e frikë dhe e vendosi në një kishë, që ngriti në vend më vonë. Bashkëshortja e tij e përkushtuar, Kozare, ishte motra e carit Bullgar, Vladisllavit (1015 -1018). Ai, për të zotëruar mbretërinë e Joanit, e ftoi në kryeqytetin e tij, Ohrin, mbasi iu betua në Ungjill dhe në një kryq druri shumë të respektuar të shenjtit se nuk do t’i bënte keq. Ai u bind, ndërkaq tinëzari e goditi fort me shpatë në qafë, por më kot. Atëherë Joani tolerant i dha kryqin duke i thënë: “E tradhtove. Por merre këtë dhe do të më vrasësh”. Më pas këshilloi shoqëruesit e tij të mbrojnë Orthodhoksinë, të qeverisin drejt popullin dhe të mos marrin hak për vrasjen e tij që të mos derdhet gjak “vëllazëror” pra, duhej të ishte bullgar, pasi e dimë se nuk ishte shqiptar, por i deshi shqiptarët tej mase. Vladisllavi me të vërtetë i preu kokën, ndërkaq “martiri” mori kokën e tij në duar. Kalëroi kështu deri në kishën e ngritur prej tij në Elbasan, në të cilën edhe u varros më 22.5.1015. Kozarja mbeti për gjithë jetën në një godinë që ndërtoi përbri kishës. Kompleksi u zhvillua në manastir, i cili u shkatërrua dhe u ringrit në mënyrë të përsëritur. Vladimir, rusisht do të thotë zotëruesi i paqes (ose i botës).