E martë, 30 maj 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 21:26-32.

Atëherë Pavli i mori me vete ata burrat, dhe ditën tjetër, si u pastrua bashkë me ta, hyri në tempull, dhe lajmëron kur mbushen ditët e pastrimit, kur do të sillej dhuratë për secilin prej tyre. Edhe kur do të mbusheshin të shtatë ditët, ata Judenjtë që ishin nga Azia, kur e panë atë në tempull, trazuan gjithë turmën, edhe vunë duart mbi të, duke bërtitur: O burra Izraelitë, ndihmonani. Ky është ai njeriu që mëson kudo gjithë njerëzit kundër popullit dhe ligjit, dhe këtij vendi; dhe madje edhe Grekë futi në tempull, dhe ndoti këtë vend të shenjtë. Sepse kishin parë më parë Trofim Efesianin bashkë me të në qytet, të cilin pandehnin se Pavli e kishte futur në tempull. Edhe u tund gjithë qyteti, dhe u mblodh populli; dhe si zunë Pavlin, e hoqën jashtë tempullit; dhe përnjëherë u mbyllën dyert. Edhe tek kërkonin ta vrisnin, shkoi fjala te kryemijësi i kohortës, se gjithë Jerusalemi është trazuar. Ky përnjëherë mori me vete ushtarë e kryeqindës e u sul poshtë mbi ata. Edhe ata kur panë kryemijësin edhe ushtarët, pushuan së rrahuri Pavlin.

UNGJILLI - Joani 16:2-12.

Do t’ju nxjerrin nga sinagogat; por vjen një orë, në të cilën kushdo që t’ju vrasë do të pandehë se i bën shërbim Perëndisë. Edhe këto do t’i bëjnë, sepse nuk e njohën Atin, as mua. Por jua thashë juve këto, që t’i sillni ndër mend, kur të vijë ora, se unë jua thashë juve. Edhe nuk jua thashë juve këto që në fillim, sepse isha bashkë me ju. Por tani po shkoj tek ai që më dërgoi, dhe asnjë prej jush s’më pyet: Ku shkon? Po sepse jua thashë juve këto, hidhërimi mbushi zemrën tuaj. Por unë po ju them juve të vërtetën: është mirë për ju të shkoj unë; sepse në mos shkofsha, Ngushëllimtari nuk do të vijë tek ju; por në shkofsha, do ta dërgoj atë tek ju. Edhe ai, kur të vijë, do të qortojë botën për mëkat, edhe për drejtësi, edhe për gjyq; Për mëkat, sepse nuk më besojnë; edhe për drejtësi, sepse shkoj tek im Atë, edhe më nuk më shihni; edhe për gjyq, sepse prijësi i kësaj bote është gjykuar. Kam ende shumë për t’ju thënë juve, po tani nuk mund t’i mbani.