E martë, 11 korrik 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 2 Korinthianëve 6:1-10.

Edhe si bashkëpunëtorë me të, ju lutemi juve të mos e prisni më kot hirin e Perëndisë. Sepse thotë: “Në kohë të pëlqyer të dëgjova ty, edhe në ditë shpëtimi të ndihmova ty”; ja tani tek është kohë e pëlqyeshme; ja tani tek është ditë shpëtimi. Në asgjë nuk japim asnjë pengesë, që të mos qortohet shërbesa jonë. Por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë, me shumë durim, në shtrëngime, në nevoja, në pikëllime, në rrahje, në burgje, në turbullira, në mundime, në pagjumësi, në agjërime; në pastërti, në urtësi, në zemërgjerësi, në mirësi, në Frymë të Shenjtë, në dashuri pa shtirje; në fjalë të së vërtetës, në fuqi të Perëndisë; me armët e drejtësisë në dorën e djathtë e në të majtën; në lavdi e në çnderim, në emër të mirë e në emër të keq; porsi mashtrues, po të vërtetë; porsi të panjohur, po të njohur mirë; porsi duke vdekur, po ja tek rrojmë; porsi të munduar, po jo të vrarë; porsi të hidhëruar, po gjithnjë të gëzuar; porsi të vobektë, po shumë veta pasurojmë; porsi skamës, po të gjitha i zotërojmë.

UNGJILLI - Llukai 7:36-50

Edhe një nga Farisenjtë i lutej të hante bashkë me të; edhe ai hyri në shtëpinë e Fariseut dhe ndenji në tryezë. Edhe ja, një grua në atë qytet, e cila ishte mëkatare, kur mori vesh se kishte ndenjur në shtëpinë e Fariseut, pruri një alabastër me miro. Edhe ndenji prapa pranë këmbëve të tij duke qarë, edhe zuri të lagte këmbët e tij me lot, edhe ia fshinte me flokët e kokës së saj, edhe puthte këmbët e tij, edhe ia lyente me miro. Edhe Fariseu që e kishte thirrur, kur pa, foli me veten e tij duke thënë: Ky po të ishte profet, do ta njihte cila dhe çfarë gruaje është ajo që e prek, se është mëkatare. Edhe Jisui iu përgjigj e i tha atij: Simon, kam diçka për të të thënë. Edhe ai i thotë: Mësues, thuaj. Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte detyrim pesëqind dinarë, edhe tjetri pesëdhjetë. Edhe pasi nuk kishin t’ia lanin, ua fali të dyve. Thuaj pra: Cili nga ata do ta dojë më tepër? Edhe Simoni u përgjigj e tha: Më duket se ai, të cilit i fali më të shumtat. Edhe ai i tha: Drejt gjykove. Edhe si u kthye nga gruaja, i tha Simonit: A e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; po ajo me lot më lagu këmbët, dhe me flokët e kokës së saj i fshiu. Ti nuk më puthe; po ajo, që kur hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia. Ti me vaj nuk më leve kryet; po ajo me miro leu këmbët e mia. Prandaj po të them: Janë ndjerë mëkatet e saj të shumta, sepse deshi shumë. Por atij që i ndjehen pak, pak do. Edhe i tha asaj: Të janë ndjerë mëkatet. Edhe ata që kishin ndenjur bashkë në tryezë zunë të thonë me veten e tyre: Cili është ky që edhe mëkate ndjen? Edhe ai i tha gruas: Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe.