Akila, një jude nga Ponti, ishte vendosur me të shoqen, Priskilën, në Romë, ku punonte si tendëbërës. Ata ishin të konvertuar në Krishterim, kur perandori Klaudi urdhëroi
dëbimin e të gjithë judenjve nga qyteti, në vitet 49-50 pas Krishtit. U vendosën në Korinth pak kohë pasi shën Pavli mbërriti atje nga Athina (Vep. 18:1-3). Apostulli jetoi në shtëpinë e tyre dhe punoi me ta, sepse nuk donte t’u bëhej barrë të tjerëve. Ai u mësoi atyre misteret e Perëndisë dhe disa thonë se dhe i pagëzoi vetë.
Ata ishin tërësisht të përkushtuar ndaj mësuesit të tyre, duke e ndihmuar në shërbesën e tij dhe duke bashkëndarë mundimet dhe vuajtjet e tij. Shën Pavli asnjëherë nuk e fshehu dashurinë për ta, duke i përshëndetur në mjaft letra të tij.
P.sh., në letrën e tij drejtuar romakëve ai shkruan: “Përshëndet Priskilën dhe Akilën, bashkëpunëtorët e mi të shtrenjtë në Krishtin Jisu, të cilët vunë qafën e tyre nën thikë për shpirtin tim, të cilët i falënderojnë të gjitha kishat e kombeve, jo vetëm unë” (Rom. 16:3).
Kur shën Pavli la Akaian për t’u kthyer në Azi, Akila me të shoqen e ndoqën pas. Ishte pikërisht shtëpia e tyre e madhe në Efes, ku të krishterët mblidheshin për Eukaristinë Hyjnore. Po aty Priskila dhe Akila arritën të kthenin Apollon në njohjen e plotë të besimit
Më pas shkuan në Romë rreth vitit 58 dhe e ofruan përsëri shtëpinë e tyre për ta përdorur si kishë. Më vonë u kthyen në Efes dhe jetonin atje kur shën Pavli, duke shkruar nga Roma si i burgosur i Krishtit për herë të dytë, i kërkoi nxënësit të tij, Timotheut, episkopit të Efesit, t’u jepte atyre përshëndetjet e tij (2 Tim. 4:19). Ka shumë gjasa që e përfunduan jetën e tyre si martirë në Efes, ku paganët u prenë kokën.
Ishte shkrimtar i palodhur, theolog i shquar i shekujve të fundit. Lindi më 1749 nga prindër arkondë të pasur në ishullin Naksos (në mes të Egjeut), Anton Kallivurci dhe Anastasia, e cila më pas u bë murgeshë me emrin Agathia. U edukua në vendlindje dhe në Izmir të Azisë së Vogël (1765-1770) dhe, kur u kthye në ishull në vitin 1770, me sa duket për shkak të përndjekjeve të turqve, depozitoi në kujtesën e tij kolosale një mori dijesh theologjike. Për më tepër atëherë u njoh me etër agjioritë, të cilët i zbuluan murgërinë.
Në një vizitë të shkurtër që bëri në ishullin Hidra, që banohet nga arvanitas, takon shën Makarin e Korinthit (17 prill) dhe lidhet me të. Këta të dy do të evidentohen më vonë si prijës të lëvizjes, e keqkuptuar atëherë, së “kolivadheve”.
Më 1775 lundron në Malin e Shenjtë. Qethet murg në Manastirin e Dionisit dhe, nga Nikolla që quhej, merr emrin Nikodhim. Meqenëse donte të tërhiqej plotësisht, shpërngulet në një qeli afër Karies (“kryeqytet” i Athosit), ku kalon pjesën më të madhe të jetës së tij jetoi edhe në vende të tjera, por për pak kohë, midis të tjerëve dhe për një vit jetoi i vetëm në një ishull të vogël e të shkretë.
Mban korrespondencë edhe me Patriarkun shën Grigor V (10 prill) etj., kopjon kodikë (dorëshkrime) që të siguronte jetesën dhe njëkohësisht studion. Formulon dhe koleksione, dhe më tepër se 100 vepra autentike dogmatike, “ndërtuese” (shpirtërore), kanonike, himnologjike, shpjeguese etj., në origjinal, të cilat kanë rëndësi edhe nga ana letrare.
Më të njohura janë “Filokalia”; “Për kungimin e vazhdueshëm”, vepër e cila bëri bujë, të cilën e kundërshtoi dhe e dënoi një patriark i tërhequr nga antikolivistët; “Evergjetinosi”; “Lufta e padukshme”, frytdhënëse; “Martirologji i ri”, i çmuar; “Timoni” me kanonet e së drejtës kishtare; “Sinaksari” (jetë shenjtorësh) i përmbledhur; “Manuali këshillues” didaktik.
Duke qenë shëndetlig që nga 1805, oshënari asket, i përulur, i sjellshëm dhe i varfër, fjeti më 14.7.1809 në Karies, ku ruhet edhe lipsani i kokës së tij.
* * * * *
– SHËN TRIFONI NË SHEQISHTE (FIER)
Nuk kemi shumë të dhëna për jetën e tij. Ajo që dimë, nga ish mitropoliti i Beratit, hirësia e tij z. Anthim Aleksudhi, që në veprën e tij “Përshkrim i shkurtër historik për Mitropolinë e Beratit”, na flet për një vegim: “Një vajze të vogël shtatëvjeçare, iu shfaq një djalë i ri kalorës me pamje të hijshme dhe i thotë se unë jam Trifoni nga vendlindja Zoira, Zharrëza e sotme, dhe aty ku ndodhesh është banesa ime”.
Kjo ndodhi në vitin 1847. Vajza e vogël ishte banore e fshatit Sheqishte dhe quhej Vida. Më vonë ajo u bë murgeshë me emrin Parashqevi dhe sipas amanetit të saj, u varros në manastir.
Sipas tregimit të vajzës, tek prifti i asaj kohe, atë Dhimitër Tole, u gjendën lipsanet e shenjtorit, të cilat u vendosën në mauzoleum, ndërtuar përbri manastirit.
Në Sinaksarë thuhet se “shën Trifonin e varën në një pemë shelgu dhe i prenë kokën” në vitin 313. Në këtë kohë ishte në pushtet konsulli Deci, i cili ishte përndjekës i rreptë i të krishterëve dhe kundërshtar i shën Konstandinit të Madh.
Martirizimi i tij tregon besimin e patundur tek Ngjallja e Zotit Krisht dhe guximin e fortë për ta shpallur atë në ambientin ku jetonte. Pavarësisht përndjekjes dhe dhunës së pushtetarëve, ai qëndron i bindur në besimin e tij që arrin deri në sakrificën më të madhe, dhënien e jetës për hir të dashurisë së Krishtit.
Ky akt martirizimi nuk mbetet në harresë nga Perëndia, Ai bën të mundur, nëpërmjet hirit të Tij, shfaqjen e shenjtorit tek ne, që nëpërmjet kësaj mrekullie të na bëjë dhe ne të ecim në rrugën e tyre.
Emri Trifon përkthehet në shqip “i butë”. Shenjtori cilësohet si mbrojtës i bujqësisë, i blegtorisë, i kafshëve dhe shpendëve nga sëmundjet.