U bletë me çmim; lavdëroni pra Perëndinë me trupin tuaj, edhe me shpirtin tuaj, që janë të Perëndisë.
Edhe për ato që më shkruat, mirë është për njeriun të mos prekë grua. Po për shkak të kurvërive le të ketë secili gruan e tij, edhe secila le të ketë burrin e saj. Burri le t’i japë gruas dashurinë që i detyrohet; gjithashtu edhe gruaja burrit. Gruaja s’e urdhëron trupin e saj, po burri; gjithashtu edhe burri nuk e urdhëron trupin e tij, po gruaja. Mos i mungoni njëri-tjetrit, përveçse me marrëveshje të përkohshme, që të jepeni pas agjërimit e pas lutjes, edhe përsëri mblidhuni bashkë që të mos ju ngasë Satanai për mospërmbajtjen tuaj. Edhe këtë po e them si lëshim, jo si urdhër. Sepse dua që gjithë njerëzit të jenë si edhe vetja ime; po secili ka dhuratë të veçantë nga Perëndia, njëri kështu, e tjetri ashtu.
Edhe po u them të pamartuarve dhe të vejave, se është më mirë për ata, në mbetshin si edhe unë. Edhe po të mos përmbahen dot, le të martohen; sepse është më mirë të martohet njeriu se të digjet nga epshi.
Edhe të martuarit i porosis, jo unë, por Zoti, të mos ndahet gruaja nga burri. Po edhe në u ndaftë, le të mbetet e pamartuar, ose le të pajtohet me burrin e saj; edhe burri të mos e lërë gruan e tij.
Edhe të tjerëve u them unë, jo Zoti, në ka ndonjë vëlla grua jobesimtare, edhe ajo dëshiron të rrojë bashkë me të, le të mos e lërë atë.
Në atë kohë Herodi, tetrarku, dëgjoi për famën e Jisuit.
Edhe u tha shërbëtorëve të tij: Ky është Joan Pagëzori. Ai është ngjallur së vdekurish, edhe prandaj bëhen çudira nga ai. Sepse Herodi zuri Joanin, edhe e lidhi, edhe e vuri në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, të vëllait të tij. Sepse Joani i thoshte atij: Nuk është e lejueshme ta kesh ti atë. Edhe donte ta vriste atë, po pati frikë prej turmës, sepse e kishin për profet.
Edhe kur po bëhej festimi i ditës së lindjes së Herodit, e bija e Herodiadës luajti valle në mes, edhe i pëlqeu Herodit. Prandaj iu zotua asaj me be t’i japë ç’të kërkonte. Edhe ajo, si u mësua prej së ëmës, thotë: Jepmë kryet e Joan Pagëzorit këtu mbi një pjatë. Edhe mbretit i erdhi keq, po për betimet që kishte bërë, edhe për ata që ishin shtruar në tryezë bashkë me të, urdhëroi t’i jepet. Edhe dërgoi e i preu kryet Joanit në burg. Edhe kryet e tij u pru mbi një pjatë e iu dha vajzës. Edhe ajo ia pruri së ëmës. Edhe si erdhën nxënësit e atij e ngritën trupin dhe e varrosën; pastaj erdhën e lajmëruan Jisuin.
Edhe Jisui, kur dëgjoi, iku prej andej me lundër në një vend të shkretë veçan; edhe turmat kur dëgjuan, i shkuan prapa me këmbë nga qytetet.