Shenjtori i ditës – 08 Gusht

- OMOLOGJET (RRËFYES/POHUES I BESIMIT) EMILIANI I KIZIKËS -

Fillimisht ishte murg në manastirin e themeluar nga shën Tarasi (25 shkurt) dhe shkëlqeu nga virtytet. Pas pak kohësh, u ngrit në gradën episkopale dhe pasoi në vendin e mitropolitit të Kizikës, Nikolla (pas 788). Gjatë konferencës për nderimin e ikonave, që u thirr në pallatin e perandorit Leon V, më 815, shën Emiliani kundërshtoi qeveritarin heretik dhe i tha se çështja e dogmave ishte e rangut kishtar, dhe se duhet të trajtohej në kishë dhe jo para autoriteteve civile. Nga ky rrëfim i guximshëm, e internuan. Dhe pas 5 vjet sprovash ai vdiq; mendohet se është vrarë nga agjentët e perandorit, kështu ai u bashkua në qiell me korin e shenjtorëve martirë. Emiliani (latinisht do të thotë: ai që konkuron). Sipas Menologut të Vasilit II, ai vdiq në paqe kur ishte i internuar.

- EPISKOP MIRONI I KRETËS -

Shën Mironi lindi në Avrakia të Kretës, në një familje të krishterë. Ende i ri, u martua dhe punoi si bujk. I shtyrë nga dashuria për të afërmin, u shpërndante shumë lëmosha të varfërve, dhe sa më shumë jepte, aq më të shumta i kishte të korrat. Një ditë, gjeti në magazinën e grurit disa burra që po e vidhnin. Babëzia e tyre ishte aq e madhe, saqë i mbushën deri në majë thasët dhe nuk mundnin dot t’i lëviznin vendit. Kur Mironi i kapi duke vjedhur, nuk i dëboi, por i ndihmoi t’i ngarkonin thasët. I porositi mos t’i tregonin njeriu se çfarë kishte ngjarë, për të mos e humbur shpërblimin. Virtytet e denjësuan për priftërinë dhe në fund të Persekutimit të Madh të Dioklecianit, u hirotonis episkop i Gortinës dhe kryepiskop i Kretës. Përveç urtësisë së tij të madhe, e ndihmoi grigjën e tij shpirtërore edhe me anë të mrekullive të shumta. Shën Mironi drejtoi për shumë vjet grigjën që iu besua, duke derdhur pa kursim hirin e Perëndisë që i qe dhënë. Fjeti në paqe, rreth moshës 100-vjeçare (viti 350).
– DËSHMOR I RI TRIANDAFILI –
Dëshmori i ri Triandafil lindi në vitin 1633, në Zagora të Magnezisë. Punoi që i vigël si marinar, në një nga anijet më të njohura të Zagorisë. Në vitin 1680, anija ku punonte u ankorua në portin e Konstandinopojës, dhe Triandafili pati mundësinë të shohë e të lutet në kishat e qytetit. Atje hyri në konflikt me disa turq, të cilët shpifën se gjoja donte që të bëhej muhamedan. Triandafili i kundërshtoi fort shpifjet e tyre dhe qëndroi i palëkundur në bindjet dhe besimin e tij të krishterë. Kështu, e dënuan me vdekje në hipodromin e Konstandinopojës, duke i dhuruar kurorën e pavyshkur të martirizimit ndërsa ishte vetëm 18 vjeç. Në Zagori nderohet shumë kujtimi i tij dhe një pjesë e lipsanit të shenjtorit ndodhet në ishullin Andros, në manastirin e Shën Nikollës.