E diel, 3 shtator 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - 1 Korinthianëve 16:13-24.

Rrini zgjuar, qëndroni në besë; bëhuni burra, e forcohuni. Gjithë punët tuaja le të bëhen me dashuri. Edhe ju lutem, o vëllezër, e njihni shtëpinë e Stefanait, se është fryti i parë i Akaisë, edhe se ia kanë kushtuar veten shërbimit të shenjtëve; të ulni kryet edhe ju ndaj të këtillëve, edhe ndaj çdo njeriu që bashkëpunon me ne dhe mundohet. Edhe gëzohem për ardhjen e Stefanait dhe të Furtunatit e të Akaikut, sepse këta mbushën mungesën tuaj; sepse prehën shpirtin tim dhe tuajin. Dijuani pra të këtillëve. Ju përshëndesin kishat e Azisë. Ju përshëndesin në Zotin Akila dhe Priskila bashkë me kishën që është në shtëpinë e tyre. Ju përshëndesin gjithë vëllezërit. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë. Përshëndetja u shkrua me dorën time, të Pavlit. Nëse ndonjë nuk e do Zotin Jisu Krisht, qoftë i mallkuar. Maran-Atha. Hiri i Zotit Jisu Krisht qoftë me ju. Dashuria ime qoftë me të gjithë ju në Jisu Krishtin. Amin.

UNGJILLI - Mattheu 21:33-42.

Dëgjoni një tjetër paravoli: Një njeri ishte zot shtëpie, i cili mbolli një vresht dhe e thuri me gardh, edhe gërmoi në të një tirë, edhe ndërtoi një pirg; edhe ua dha atë me qira bujqve e iku në vend tjetër. Edhe kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi shërbëtorët e tij te bujqit, që të marrin frytet e tij. Edhe bujqit i zunë shërbëtorët e tij, e njërin e rrahën, e tjetrin e vranë, edhe tjetrin e vranë me gurë. Përsëri dërgoi të tjerë shërbëtorë, më tepër se të parët, por ashtu ua bënë edhe atyre. Edhe pastaj dërgoi të birin tek ata, duke thënë: Do të kenë turp nga im bir. Po bujqit kur panë të birin, i thanë njëri-tjetrit: Ky është trashëgimtari. Ejani ta vrasim dhe të përvetësojmë trashëgimin e tij. Edhe si e zunë, e nxorën jashtë vreshtit edhe e vranë. Kur të vijë i zoti i vreshtit, ç’do t’u bëjë atyre bujqve? I thonë: Të këqijtë si mos më keq do t’i shfarosë, edhe vreshtin do t’ua japë me qira bujqve të tjerë, të cilët do t’ia japin frytet në kohët e tyre. Ju thotë atyre: Kurrë s’keni lexuar në shkronjat: “Guri, që flakën tej ndërtuesit, ky u bë Kreu i qoshes; prej Zotit u bë kjo, edhe është e çuditshme në sytë tanë”?