E martë, 5 shtator 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 2 Korinthianëve 12:20-13:2.

Sepse kam frikë se mos, kur të vij, nuk ju gjej të tillë siç dua, edhe mua nuk do të më gjeni të tillë siç më doni; se mos ka ndër ju grindje, zilira, zemërata, të zëna, përgojime, tinëzira, mendjemadhësira, trazira; se mos, kur të vij përsëri, më përul Perëndia im përpara jush, dhe vajtoj për shumë nga ata që kanë mëkatuar që përpara dhe s’janë penduar për fëlliqësinë dhe për imoralitetin e për ndyrësinë që bënë. Kjo është e treta herë që vij tek ju. “Çdo fjalë do të mbështetet në gojën e dy dhe tre dëshmitarëve”. Parathashë dhe parathem, si i pranishëm për së dyti, edhe tani që jam larg po u shkruaj atyre që kanë mëkatuar që përpara dhe gjithë të tjerëve, se, në ardhsha përsëri, nuk do të kursehem.

UNGJILLI - Marku 4:24-34.

Edhe u thoshte atyre: Vini re ç’dëgjoni. Me ç’matës matni, do t’ju matet edhe juve, edhe do të shtohet mbi ju që dëgjoni. Sepse atij që ka do t’i jepet, edhe atij që s’ka, edhe ajo që ka do t’i merret. Edhe thoshte: Kështu është mbretëria e Perëndisë, si një njeri që hedh farën mbi dhe, edhe fle e ngrihet natë e ditë; edhe fara mbin e rritet, kështu që ai s’e di se si. Sepse dheu vetvetiu sjell fryte, më parë bar, pastaj kalli, pastaj grurë të plotë në kalli. Edhe kur arrihet fryti, dërgon menjëherë drapërin, sepse arriti të korrët. Edhe thoshte: Me se ta përngjajmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë paravolie ta krahasojmë? Eshtë si një kokërr sinapi, e cila, kur mbillet në dhe, është më e vogël se gjithë farërat që janë mbi dhe. Por, si mbillet, rritet e bëhet më e madhe se gjithë lakrat, edhe bën degë të mëdha, aq sa zogjtë e qiellit mund të rrinë nën hijen e tij. Edhe me shumë të këtilla paravoli u fliste atyre fjalën, siç mund ta dëgjonin. Edhe pa paravoli nuk ua fliste atyre fjalën; po veçan nxënësve të tij ua zgjidhte të gjitha.