Po atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që s’janë prej natyre perëndira; por tani, pasi njohët Perëndinë, ose më mirë u njohët prej Perëndisë, si ktheheni përsëri në elementët e dobët e të mjerë, të cilëve prapë si përpara doni t’u shërbeni? Vini re ditë e muaj e stinë e vite. Kam frikë për ju se mos më kot u mundova për ju.
O vëllezër, ju lutem, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; s’më keni bërë ndonjë të keqe. Edhe e dini, se predikova ungjillin tek ju herën e parë kur isha i sëmurë në mish. Edhe ngasjen time që kisha në mishin tim nuk e përbuzët, as nuk e përçmuat, po më pritët si engjëll Perëndie, si Krishtin Jisu. Cila pra ishte lumuria juaj? Sepse ju dëshmoj se po të mundej, edhe sytë tuaj do t’i nxirrnit e do të m’i jepnit mua. A mos u bëra armiku juaj, pra, se ju them të vërtetën?
Tregojnë zell për ju, po jo për mirë; përkundrazi duan t’ju veçojnë, që të tregoni zell për ata. Por është mirë të keni gjithmonë zell për të mirë, dhe jo vetëm kur gjendem në mes tuaj. Djemtë e mi, përsëri kam dhimbje lindjeje për ju, deri sa të formohet Krishti tek ju. Edhe doja të isha në mes tuaj tani, dhe të ndryshoja zërin tim, sepse nuk di ç’të mendoj për ju.
Pa më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?
Edhe menjëherë detyroi nxënësit e tij të hyjnë në lundër dhe të shkojnë më parë matanë, në Betsaida, deri sa ai të lëshonte turmën. Edhe si i lëshoi, shkoi në mal të lutet.
Edhe kur u ngrys, lundra ishte në mes të detit, edhe ai vetëm mbi tokë. Edhe pa ata që po mundoheshin në vozitje, sepse era ishte kundër tyre; edhe në rojen e katërt të natës vjen tek ata, duke ecur mbi det; edhe donte t’i kalonte. Po ata, kur panë atë që po ecte mbi det, pandehën se ishte hije dhe bërtitën. Sepse të gjithë e panë dhe u drodhën. Edhe menjëherë foli me ata e u thotë atyre: Kini guxim, jam unë, mos u frikësoni. Edhe hipi tek ata në lundër; edhe era pushoi. Edhe me veten e tyre habiteshin fort tepër, edhe mahniteshin. Sepse nuk e morën vesh nga bukët; sepse zemra e tyre ishte ngurtësuar.
Edhe si kapërcyen detin, erdhën në tokën Gjenisaret dhe hodhën spirancën në liman.