Edhe ne, o vëllezër, jemi si Isaaku, bij të premtimit. Po sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas frymës, kështu edhe tani. Po ç’thotë shkrimi? “Dëboje shërbëtoren dhe birin e saj; sepse s’ka për të trashëguar biri i shërbëtores bashkë me birin e së lirës”.
Nuk jemi pra, vëllezër, bij të shërbëtores, por të së lirës.
Qëndroni pra në lirinë, me të cilën na çliroi Krishti dhe mos hyni përsëri në zgjedhën e skllavërisë.
Ja unë Pavli po ju them juve se po të rrethpriteni, Krishti nuk do t’ju sjellë fare dobi. Edhe përsëri dëshmoj për çdo njeri që rrethpritet, se është i detyruar të zbatojë gjithë ligjin. U ndatë nga Krishti ju që drejtësoheni me anë të ligjit, ratë nga hiri. Sepse ne me anë të Frymës prej besimi presim për shpresën e drejtësisë prej besimit. Sepse në Krishtin Jisu as rrethprerja nuk ka ndonjë fuqi, as parrethprerja, po besimi që bëhet me anë dashurie.
Ju rendnit mirë; kush ju pengoi të mos i bindeni së vërtetës? Kjo bindje nuk është prej atij që ju thërret juve. Pakëz brumë mbrun gjithë mbrujtjen. Unë kam shpresë tek ju me anë të Zotit, se nuk do të mendoni asgjë tjetër; po ai që ju turbullon ju, do të mbajë dënimin, cilido qoftë ai.
Edhe Herodi, tetrarku, pasi qortohej prej atij për Herodiadën, gruan e të vëllait të tij, edhe për gjithë të këqijat që pati bërë Herodi, shtoi edhe këtë përmbi të gjitha dhe e mbylli Joanin në burg.
Edhe pasi u pagëzua gjithë populli, u pagëzua edhe Jisui, edhe ndërsa ishte duke u lutur, u hap qielli, edhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të me një lloj trupi si pëllumb, edhe erdhi një zë nga qielli, duke thënë: Ti je Biri im i dashur, ty të kam pëlqyer.