E diel, 24 shtator 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - 2 Timotheut 3:10-15.

Po ti i re prapa mësimit tim, sjelljet, qëllimin, besimin, zemërgjerësinë, dashurinë, durimin, përndjekjet, pësimet, që më ndodhën në Antioki, në Ikoni, në Listër. Çfarë përndjekjesh pësova! Dhe Zoti më shpëtoi nga të gjitha. Po edhe gjithë sa duan të rrojnë me shprestari në Krishtin Jisu do të përndiqen. Po njerëzit e ligj e gënjeshtarë do të shkojnë mbarë në më të ligën, duke gënjyer dhe duke u gënjyer. Po ti qëndro në ato që mësove e u vërtetove, duke ditur prej cilit i ke mësuar; edhe se që nga foshnjëria i di shkronjat e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtim me anë të besimit që është në Krishtin Jisu.

UNGJILLI - Llukai 5:1-11.

Edhe ndërsa turma ishte duke e shtrënguar atë që të dëgjonin fjalën e Perëndisë, ai qëndronte pranë liqenit Gjenisaret. Edhe pa dy lundra duke qëndruar pranë bregut të liqenit; edhe peshkatarët dolën nga ato, e lanin rrjetat. Edhe ai hyri në njërën nga lundrat, në atë të Simonit, dhe i kërkoi atij të largohej pak prej tokës. Edhe si ndenji mësonte turmën nga lundra. Edhe si pushoi së foluri, i tha Simonit: Sill lundrën në ujëra të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshq. Edhe Simoni u përgjigj e i tha: Mjeshtër, gjithë natën u munduam, dhe nuk zumë gjë; po për fjalën tënde do ta hedh rrjetën. Edhe si bënë këtë, mbyllën brenda një mori të madhe peshqish, edhe rrjeta e tyre po çahej. Edhe u bënë me shenjë shokëve që ishin në lundrën tjetër, që të vinin e t’u ndihmonin; edhe ata erdhën, edhe mbushën të dy lundrat, kaq sa ato po fundoseshin. Edhe Simon Pjetri, kur pa, ra në gjunjët e Jisuit, duke thënë: Dil prej meje, Zot, sepse jam njeri mëkatar. Sepse habi e pushtoi atë dhe ata që ishin bashkë me të, për gjahun e peshqve që zunë; gjithashtu edhe Jakovin e Joanin, të bijtë e Zevedheut, të cilët ishin shokë të Simonit. Edhe Jisui i tha Simonit: Mos ki frikë, se që nga tani do të zësh njerëz. Edhe si sollën lundrat në tokë, i lanë të gjitha dhe shkuan pas tij.