Pagëzimi i Shenjtë

Pagëzimi i Shenjtë

Pagëzimi është Misteri i parë. Ai u themelua hyjnishmërisht, ashtu si të gjitha Misteret, ai u themelua nga Biri i Mishëruar i Perëndisë, Perëndi-njeriu Vet Jisu Krishti. Dhe Ai e themeloi me “fjalë dhe vepër”; me vepër kur Vet Ai, ndonëse pa mëkat, u pagëzua në Jordan, në këtë mënyrë duke dërrmuar kokat e dragonjve – demonëve, që banonin në ujë dhe duke shenjtëruar natyrën e ujit. Kështu Ai na tregoi formën dhe domosdoshmërinë për ne mëkatarët për tu pagëzuar. Gjithashtu me anë të fjalës, kryesisht kur Ai i urdhëroi Apostujt e Tij pas Ngjalljes: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj në të gjithë kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë” dhe përsëri “Shkoni në mbarë botën dhe i predikoni Ungjillin çdo krijese; ai që beson dhe pagëzohet do të shpëtohet; por ai që nuk beson do të dënohet” (Mateu 28:19; Marku 16:15-16). Në këtë mënyrë Misteri i Pagëzimit është i themeluar nga Perëndia. Zoti ynë e themeloi atë. Apostujt e zbatuan dhe ia transmetuan Kishës, dhe Kisha e ruan atë ashtu siç e mori prej tyre.

Si administrohet Pagëzimi? Pasi kandidati për pagëzim është katekizuar dhe ka pohuar besimin e vërtetë, dhe pasi lyhet me vajin që është bekuar, atëherë ai pagëzohet duke u zhytur tre herë në ujërat e shenjtëruara të Pagëzimores në “emrin e Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”, ashtu siç na udhëzon Zoti ynë.

Në këtë pikë ne duhet të tregojmë se disa grupe të Krishtera Protestante nuk i pagëzojnë foshnjat; gjithashtu ata edhe kur pagëzojnë i spërkatin me ujë. Këtë ata e quajnë Pagëzim. Por Pagëzim nuk do të thotë spërkatje. Fjala do të thotë zhytje në ujë. Ai që pagëzohet duhet të zhytet plotësisht në ujin e Pagëzimores, nga koka te këmbët. Kjo zhytje e trefishtë është pjesa më e rëndësishme e Misterit të Pagëzimit. Këtu ne kemi një ndryshim të madh nga ato grupe të Krishtera. Dhe kjo përbën një dallim që na ndan për shkak se Zoti ynë urdhëroi të pagëzohemi (të zhytemi në ujë) dhe jo të spërkatemi.

Çfarë ndodh në Misterin e Pagëzimit? Gjatë Pagëzimit të Shenjtë një vdekje dhe ngjallje ndodh, një lindje ose më saktë një rilindje. Fillimisht zë vend vdekja, prandaj ai që po pagëzohet duhet të zhytet plotësisht në ujin e Pagëzimores, për shkak se kjo zhytje simbolizon vdekjen. Çfarë vdekje? Vdekjen e njeriut të vjetër dhe mëkatar. Ai që pagëzohet vdes dhe varros brenda në Pagëzimore njeriun e vjetër, njeriun mëkatar. Kështu mëkati stërgjyshor hiqet prej tij, dhe ai çlirohet nga sundimi i mëkatit, megjithëse edhe pas Pagëzimit ai mban (ruan) njëfarë prirje dhe tendencë drejt së keqes. Dhe kjo prirje dhe kjo tendencë mbetet me qëllim që i Krishteri duhet të luftojë dhe të arrijë nëpërmjet fuqisë dhe përpjekjeve të tij, rilindjen e tij. Nëpërmjet Pagëzimores dhe zhytjes së trefishtë në ujërat e bekuar, ai që pagëzohet rilind në një jetë të re, ringjallet në një jetë më Krishtin, ai bëhet fëmijë i Perëndisë, një besimtar i Krishterë, një qytetar dhe pjesëtar i Mbretërisë së Perëndisë. Gjithashtu bëhet një trashëgimtar i mbretërisë qiellore. Shën Pavli shkruan si më poshtë rilindjen shpirtërore që merr njeriu nga pagëzimi i tij: “Vëllezër”, thotë Shën Pavli “sa u pagëzuam në Jisu Krishtin, në vdekjen e tij u pagëzuam. U varrosëm, pra, bashkë me atë me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ngjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re.  Sepse, nëse u bashkuam me atë në një vdekje si të tijën, do të jemi edhe në një ngjallje si të tijën, duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua bashkë me të, që të prishet trupi i mëkatit dhe që të mos i shërbejmë më mëkatit, sepse ai që vdiq, u çlirua nga mëkati. Tani nëse vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë gjithashtu se do të jetojmë me të, sepse e dimë se Krishti, që u ngjall prej së vdekurish, nuk vdes më, vdekja nuk e pushton më.  Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e përgjithmonë; por në atë që rron, rron më Perëndinë.  Kështu edhe ju, konsiderojeni veten tuaj të vdekur për mëkatin, po të gjallë më Perëndinë, me anë të Jisu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 6).

Shën Grigori i Nisës thotë se “Pagëzimi është larje dhe falje prej mëkateve, shkaku i përtëritjes dhe rilindjes”. Kështu që, ai është vdekja e së keqes, ngjallja e së mirës, rilindjes, adoptimit, një jete të re dhe të shenjtë: dhurata të pagëzimit; dhe në këtë mënyrë ne duhet ta jetojmë jetën pas pagëzimit. Të gjithë të Krishterët.

Pagëzimi quhet gjithashtu ndriçim dhe “larja e përtëritjes” dhe “larje mistike” dhe “larja e shpëtimit” dhe “uji i jetës së përjetshme”. Ai ka gjithashtu dhe shumë emra të tjerë. Ai quhet larja e shpëtimit për shkak se ai ka të bëjë me pastrimin e shpirtit. Ai quhet ndriçim për shkak se njeriu ndriçohet dhe kalon nga errësira e mëkatit tek drita e Krishtit, dhe bëhet plotësisht dritë dhe jetë, dhe rrezaton dritën e jetës shpirtërore hyjnore. Për këtë arsye ata katikumenë që përparonin në mësimin e besimit dhe ishin gati për të marrë pagëzimin e shenjtë në kohët e hershme quheshin “ata që përgatiteshin për ndriçim” (fotizomeni). Prandaj gjatë Liturgjisë Hyjnore të Dhuratave të Parashenjtëruara, ne dëgjojmë të quhen kështu: “Sa jeni për ndriçim, dilni. Ju për ndriçim dilni”.