Me datë 19 Mars 2017, të Dielën e tretë të Kreshmës së Madhe e njohur si e diela e “Kryqit”, Zyra e Rinisë Tiranë, Qendra Studentore, drejtuesit e të rinjve të Dioqezës së Elbasanit dhe studentë të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, me mbështetjen financiare dhe bekimin e Kryepiskopit Anastas, organizuan takim 1 ditor duke mbledhur së bashku, rinitë orthodhokse tëTiranës, Durrësit, Elbasanit dhe zonave rreth tyre në manastirin e Shën Joan Vladimirit në Elbasan, njëkohësisht edhe vend peligrinazhi të KOASH.
Takimi rinor ishte me temë: “KRYQI YT O ZOT, ËSHTË JETË DHE NGJALLJE”.
Rreth 180 të rinj u mblodhën për të ndjekur Liturgjinë Hyjnore të mbajtur nga Mitropoliti Elbasanit, Imzot Andoni në kishën 1000 vjeçare të ndërtuar për herë të parë nga vetë Shenjtori Shën Joan Vladimiri në nder të Hyjlindëses Shën Mari dhe e rindërtuar në 2005 nga Kryepiskopi i Tiranës Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi.
Qetësia dhe lutja ishin dy elementët kryesore që të përshkonin sapo hyje brenda në kishë, të cilat u ndërthurën më së miri me psalmet gjatë Meshës. Në këtë të Diel të Kryqit u psalën troparet: “Kryqit tënd po i falemi o Zot” dhe “O Zot, shpëtoje popullin tend”, nën drejtimin e protopsaltit të qytetit të Durrësit Theodhor Sadikja, i ndihmuar edhe nga studentë të Akademisë Teologjike dhe kori vajzave nën drejtimin e studentes se vitit te IV Olimbi Pelushi .
Në mbarim të Liturgjisë Hyjnore, z.Jani Meni, Koordinatori i Zyrës Rinore Tiranë, përshëndeti dhe falenderoi të pranishmit që kishin ardhur nga larg për të marrë pjesë në këtë aktivitet dhe menjëherë bëri një përshkrim mbi programin e larmishëm që do të vijonte gjatë kësaj dite.
Të ndarë në 10 grupe: Kryqi, Gëzimi, Guximi, Dashuria, Pendimi, Sakrifica, Jeta, Përulësia, Durimi dhe Urtësia, zgjeruam akoma më shumë pritshmëritë dhe meditimin tonë që kishte filluar herët në mëngjes, teksa udhëtonim për në manastir.
Pas ndarjes së parë në grupe, vijoi ngrënia e mëngjesit dhe një prezantim i shkurtër me njëri- tjetrin për t’u njohur më shumë, diskutuar dhe ndarë eksperiencat sesi jemi njohur me enoritë tona dhe besimin tonë. Pjesa më e madhe e të rinjve, u shprehën se iniciativën për të shkuar në kishë e për t’u thelluar më shumë në besim, e kishin marrë prej shoqërisë dhe kampeve verore që organizon Kisha jonë.
I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Episkop Asti, përgjegjës dhe mbikqyrës i Edukimit Rinor të Krishterë pranë Kryepiskopatës së Hirëshme.
Pasi arritëm të njiheshim mjaftueshëm me njëri-tjetrin, u mblodhëm të gjithë së bashku në sheshin përballë Kishës, për të ndjekur referatin e mbajtur nga Imzot Andoni me temë: “Kryqi Yt o Zot, është jetë edhe ngjallje”. Ai u ndoq me interes të veçantë nga pjesëmarrësit dhe konsistonte në pika si: Ç’është kryqi ? Çfarë simbolizon ai?
Kryqi për ne nuk është vetëm një identifikim që na bën të quhemi të krishterë. Kryqi është jeta jonë!
Në momentin që u pagëzuam, ne u kryqëzuam me Krishtin dhe deri në fund të udhëtimit shpirtëror duhet ta ngremë gjithmonë kryqin tonë, pavarësisht sa i rëndë mund të na duket në disa momente.
Duke dhënë bekimin dhe falenderuar Zotin që na mblodhi në këtë ditë kreshme, Imzot Andoni u bashkua me të rinjtë për një foto të përgjithshme. Më pas, grupet u përfshinë në një aktivitet dy orësh si: punë dore dhe lojëra sportive. Gjatë punës së dorës, të gjithë të rinjtë ishin tepër kuriozë dhe entuziastë për të mësuar sesi formohet një kryq me thurje. Me anë të kryetarëve të grupeve, arritën të mësonin kryqin me tetë thurje. Një energji pozitive i kishte përfshirë edhe të rinjtë që zhvillonin ndeshje voleybolli ndërmjet grupeve. Këto momente i ndihmuan të miqësoheshin akoma më shumë me njëri-tjetrin.
Pas lojrave, punës së dorës dhe diskutimeve të lira, u mblodhëm për të ngrënë drekë e cila u bekua nga Imzot Andoni ndërkohë që të rinjtë thonin njëzëri Lutjen Zotërore e bekimit të bukës: “Ati ynë që je në qiell”.
Një çast tjetër tepër i rëndësishëm ishin edhe dëshmtë personale të misionarëve amerikanë që ishin të pranishëm në aktivitet. Ata dhanë dëshmi nga jeta e tyre mbi besimin orthodhoks: Josifi, ish-praktikant i besimit protestant, tregonte sesi u bë një besimtar orthodhoks, sesi jeta e tij ndryshoi dhe gjithçka që ai kishte mësuar deri më sot. Ndërsa priftëresha Uendi e lidhi fillimin e rrugëtimit të saj më Krishtin me gjyshin e saj, i cili e ndihmonte atë të afrohej më shumë me Krishtin. Shembujt e misionarëve amerikanë i ndihmuan të rinjtë të thellonin akoma më shumë mendimet e tyre rreth besimit teksa bisedonin me shumë kënaqësi me njëri-tjetrin në ndarjen e dytë në grupe.
Teksa këtij takimi po i vinte fundi, u afruam të gjithë për t’u bërë pjesë e lutjes së falenderimit.
Në fund, Imzot Andoni dhe Asti përshëndetën organizatorët dhe pjesëmarresit duke u uruar atyre kthim sa më të qetë në vendet e tyre dhe vazhdimësi të jetës me Zotin në mënyrë që çdo përpjekje shpirtërore të jetë e begatë dhe frytdhënëse.
Të gjithë arritëm të merrnim mësime të vlefshme për jetën tonë në lidhje me besimin orthodhoks në këtë javë të tretë të Kreshmës e cila na vendos përpara Kryqit të Jisu Krishtit, për ta nderuar Atë. Ky nderim na përgatit për të përkujtuar Pësimet dhe Kryqëzimin e Krishtit në të Premten e Madhe. Në të njëjtën kohë na kujton si besimtarë që e tërë Kreshma është një periudhë në të cilën kryqëzohemi bashkë me Krishtin, që të ngjallemi bashkë me Të.
Duke u përshëndetur me njëri-tjetrin të gjithë, u larguam për t’u kthyer në familjet tona, por me mendime akoma më të pasura, të kristalizuara dhe mësime që do na vlejnë gjatë Kreshmës dhe gjatë gjithë jetës sonë kishtare, por jo vetëm…