Ofroja Zotit rininë tënde!
Tashmë për 4 vjet me radhë në muajin mars vendin tonë e viziton një grup të rinjsh të dërguar nga Qendra Misionare e Krishterë Orthodhokse në USA të cilët njihen me ringjalljen e Kishës sonë duke marrë pjesë në progame të ndryshme me të rinjtë tanë.
Grupi drejtohet nga dhjak Stefan Ritsi misionar në Shqipëri, i cili koordinon programin së bashku me Zyrën Rinore të Tiranës.
4 të rinj nga USA u bashkuan edhe këtë vit programit të Zyrës Rinore të Kishës Orthodhokse duke filluar me takimin e përjavshëm të ditës së diel, pas Liturgjisë hyjnore. Ditën e martë së bashku me të rinjtë nga grupi rinor i Tiranës përgatitën lambadhe për Pashkë. Ndërsa të mërkurën të rinjtë e Tiranës, studentët e Akademsië dhe të rinjtë nga USA morën pjesë në Liturgjinë e Parashenjtëruar në shën Vlash, Durrës.
Dita e enjte u programua në qytetin e Gramshit ku Kisha jonë ka ngritur edhe mensën për njerëzit në nevojë. Vizita e të rinjve në qytetin e Gramshit mbushi me gëzim shumë zemra. Përpara se të vizitonin mensën “Shën Nektari” të rinjtë iu bashkuan fushatës për mbledhje ushqimesh të Food Bank-ut, shërbimi i të cilëve bëri të mundur sigurimin e disa ushqimeve për këtë mensë. Pas dhurimit të ushqimeve të rinjtë Orthodhoksë të Tiranës së bashku me grupin e të rinjve nga OCMC, Qendra e Krishterë Misionare Orthodhokse vizituan Ujëvarën e Sotirës. Bukuria dhe madhështia e saj bëri që të gjithë me admirim të pohonin: Sa madhështore janë veprat e tua, o Zot! Para largimit nga Gramshi u mbollën disa rrënjë ullinj te Kisha e Metamorfozës, traditë kjo e nisur nga klerikët që shërbejnë aty.
Programin e javës e kurorëzoi takimin një ditor i Lidhjes Rinore Orthodhokse me temë: “Kujto Zotin në ditët e rinisë sate”! Kishtari 12:1, i cili u zhvillua në Manastirin e Hirshëm të shën Joan Vladimirit, pranë Elbasanit më 24 mars, 2018.
Në këtë takim merrnin pjesë 270 të rinj nga të gjitha Mitropolitë e vendit tonë. Programi i këtij takimi përfshiu Lutjen e mëngjesit, fjalimin e Mitropolit te Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Andoni, takimin në grupe sipas Mitropolive, kohë miqësie me njeri-tjetrin dhe Lutjen e Falenderimit për mbylljen e programit.
Ishte gëzim e veçantë kur shikoje ambientet e manastirit të mbushura plot me të rinj entuziastë dhe me dëshirë për të mësuar më shumë për besimin orthodhoks dhe për të njohur sa më shumë miq të rinj. Lutja e mëngjesit, të psalurit së bashku, prezantimi i miqve nga USA dhe përshëndetja e atë Grigorit i inkurajoi të rinjtë që nuk janë vetëm në udhëtimin e tyre drejt Zotit. Ky takim tregoi qartë që kemi shumë miq të tjerë që janë në të njëjtën rrugë me ne, ndaj duhet të forcohemi e të rritemi sëë bashku në besim, që drita jonë të sjellë me shumë njerëz të tjerë pranë Zotit.
Fjala e fuqishme e imzot Andonit frymëzoi pjesëmarrësit për rëndësinë që ka rinia dhe vendimet e kësaj moshe për të pasuar Krishin, me dëshirë, ashtu sikundër Ai vetë na porositi: Kush dëshiron, le të vijë pas meje.
Imzot Andoni në fjalimin e tij theksoi se Zoti e do rininë tonë, që ta shenjtërojë, ta gëzojë, ta ripërtërijë, ta gjallërojë, ta drejtojë, të krenohet me të, se e ka thesarin e vet të çmuar!
Jemi krijuar për shoqëri me Perëndinë, jo me veten. Çdo largim prej Tij është në dëmin tonë. Kujdes nga dyshimet, gënjeshtrat dhe frikërat që vijnë nga zhurma të ndryshme që dërgon i ligu.
Ti ke qenë në mendjen e Zotit që para se të krijohej bota. Ai ka plan të mrekullueshëm për ty. Ti nuk je rastësi dhe asgjë që ti bën nuk është rastësi. Ji real me veten dhe përmbush potencialin tënd!
Lutja ime për ju sot është ajo që thekson edhe shën Pavli që Krishti të banojë në ju, të mendoni me mendjen e Krishtit, jo sipas mendjes suaj, të flisni si Krishti. Le t’i ofrohemi Krishtit që në rininë tonë, duke besuar që Ai është pranë nesh më shumë se ne jemi me veten tonë.
Lutja e falënderimit për këtë ditë të bekuar, për njerëzit që Ai solli pranë nesh, për gëzimin e miqësië dhe të paqes së lutjes mbylli progamin e këtij takimi rinor me shpresën se së shpejti do të takohemi sërish për ripërtëritje shpirtërore dhe nxitje në besim.
Falenderojmë të gjitha ata që e bënë të mundur këtë takim dhe u jemi shumë mirënjohës për gëzimin që na ofruan.
Faleminderojmë Kryebariun tonë, Anastas për këto bekime të veçanta që ofron për të rinjtë.
Falëndërojmë Mitropolitët, klerikët dhe katekistët bashkëpunëtorë për realizimin e takimit rinor.
Faleminderit dhjak Stefanit së bashku me grupin nga USA dhe Zyrës Rinore në Tiranë që koordinuan progamin e kësaj jave.
Falënderojmë studentët e Akdemisë Theologjike të Vitit IV për bashkëpunimin në organizim dhe për shërbimin e tyre me përkushtim.
Falenderojmë të gjithë të rinjtë pjesëmarrës që zbukuruan Manastirin me gëzimin dhe entuaziazmin e tyre.
Falënderojmë veçanërisht priftin e Manastirit atë Irineun për përgatitjen dhe gatishmërinë në mbarëvajtjen e aktivitetit.
Zoti na bekoftë edhe me takime të tjera të tilla, që të mësojmë t’ia japin Zotit rininë tonë, e të mos lejojmë të na e shkatërrojë i ligu!