Të rinjtë orthodhoksë për lutje, meditim dhe frymëzim shpirtëror në bukurinë e natyrës.
Mbi qilimin e artë të gjetheve të vjeshtës dhe në tingujt e atyre që binin lehtë nga pemët, të rinjtë nën drejtimin e atë Grigorit falenderuan Zotin për gjithçka që Ai sjell në jetën tonë.
Fjalët e e lutjes së Falenderimit dhe mrekullia mahnitëse e natyrës përputheshin përsosmërisht me njëra-tjetrën.
“Stuhitë e jetës nuk i trembin zemrat e atyre, që digjen me dritën e flakës sate.
Jashtë është terri i vorbullës së erës dhe terrori i stuhisë ulëritëse, por në shpirtrat e tyre mbretëron qetësia dhe drita. Krishti është aty, dhe zemra këndon: Aliluia.
Shoh qiellin tënd, që përflaket nga yjet. Sa i pasur që je, sa shumë dritë që ke! Përjetësia më vështron me anën e rrezeve të yjeve të largëta: jam i vogël, i parëndësishëm, por Zoti është me mua, dora e tij e dashur më mbron ngado që të shkoj.
Lavdi Ty, për përkujdesjen në çdo kohë!
Lavdi Ty, për njerëzit, që Përkujdesja jote më bëri të takoj!
Lavdi Ty, për dashurinë e të dashurve të mi, për besnikërinë e miqve!
Lavdi Ty, për butësinë e kafshëve që më shërbejnë!
Lavdi Ty, për çastet e jetës të mbushura me dritë!
Lavdi Ty, për gëzimin rrezatues të zemrës sime!
Lavdi Ty, për gëzimin e jetës, të lëvizjes e të parit!
Lavdi Ty, o Perëndi, në jetë të jetëve”!
Pas lutjes, atë Grigori drejtoi bisedën me temë: “Të rinj, duajeni vendin tuaj dhe mendoni si të punoni për të”.
Ndër të tjera theksoi se kohët e fundit vihet re një fluks i madh largimi i të rinjve nga vendi. Kemi vështirësi tha ai, por me besim dhe shpresë duhet të mendojmë si të përgatitemi për të sakrifikuar e për të sjellë ndryshimin që duam për vendin tonë. Kujt do t’ia lemë këtë vend?
Ai përmendi shembullin e Kryepiskopit Anastas, i cili ofron gjithçka për ne dhe vendin tonë. Gjithashtu iu referua edhe historisë së Izraelitëve të cilët Esdra i frymëzoi ta duan dhe të punojnë për tokën e tyre. Së bashku dhe në unitet, mund të arrijmë ëndrrat tona për të qenë aktivë në shoqëri dhe instrumenta të dashurisë hyjnore. Në fund ai kërkoi lutjet e të rinjve për realizimin e ndërtimit të mensës së shën Nektarit dhe një paraklisi të vogël dedikuar shenjtit në qytetin e Gramshit, ku kemi kaq kohë dhe e kemi provuar që së bashku mund të arrijmë shumë, nga një mensë me shërbime mujore, në javore e tani çdo ditë ku ushqehen rreth 70 persona në nevojë dhe ndihmohen 30 fëmijë për të vazhduar shkollën.
Mos kini frikë, e ardhmja është në duart e Zotit.
Ashtu si u veçuam nga bota sot dhe erdhëm këtu në qetësi, kështu të kujtojmë çdo herë që jemi në botë, por jo të botës.
Programi i ditës u mbyll me shoqërinë e çmuar dhe forcimin e miqësisë me njeri-tjetrin.