Mendja jonë nuk mund t’i nxërë e t’i kuptojë të gjitha ato që ekzistojnë në natyrë. Por mund të konstatojë dhe të bindet që të gjitha janë krijuar bukur, me urtësi, me harmoni dhe me logjikë. Kur lexojmë një libër, nuk e shohim shkrimtarin, por e dimë që ai ekziston. Kështu dhe ne, kur soditim mrekullinë e krijimit, njohim Krijuesin e botës, Perëndinë.
Libri hyjnor i natyrës na çudit me pafundësinë, me harmoninë dhe me rregullin absolut. Ne mrekullohemi me krijimin dhe, natyrshëm, pyesim: Nga erdhi drita, toka, moria e yjeve, kometave, planeteve, galaktikave që ndriçojnë përherë në qiell? Kush i vuri në lëvizje? Cili vullnet dhe fuqi vuri në lëvizje universin? Nga Shkrimi i Shenjtë mësojmë që autori i gjithë kësaj madhështie është Perëndia, i Cili, me fjalën e Tij, krijoi gjithçka.
Ngaqë ritmi i jetës në kryeqytet nuk na jep shumë mundësi për refektim, e shtuna e komunitetit studentor mblodhi 30 të rinj anëtarë të Lidhjes Rinore Orthodhokse “Bij të Dritës” Tiranë në programin i cili konsistoi në reflektimin në natyrë, falenderimin ndaj Zotit për gjithë krijimin, bekimet e miqësisë në Krishtin dhe soditjen e natyrës si libri i vetë Zotit.
Programi nisi me lutjen e përbashkët nën përqafimin e rrezeve të ngrohta të diellit dhe bekimin për një ditë të bekuar nga përgjegjësi i Zyrës Rinore, atë Grigor Pelushi.
Qetësia dhe fjalët e lutjes së falenderimit na mbyshën me paqe dhe admirim për veprat e mrekullueshme të duarve të Zotit.
Mëngjesi në natyrë u pasua nga ngjitja në majë të shkëmbit të lartë e të thepisur nga ku sodisje pamjen magjepsëse të Rezervuarit të Bovillës. Përgjatë ecjes shijuam miqësinë e njëri-tjetrit, natyrën e bukur dhe ndamë sfidat e ngjitjes së vështirë. Kuptuam që jeta është udhëtim me shumë sfida, disa që duken sikur i kalojnë mundësitë tona, por me miq që të mbështetin dhe inkurajojnë udhëtimi bëhet i lehtë dhe i realizueshëm. Kështu kuptojmë që s’ka jetë më të bukur se jeta në komunitet dashurie me Zotin.
Ndalesa te burimi dhe ndarja e përvojës së ngjitjes mbylli këtë ditë reflektimi.
“I madh je, o Zot, dhe të çuditshme janë veprat e tua dhe asnjë fjalë nuk do të mjaftojë për të himnuar çudirat e tua. Se, duke i sjellë të gjitha nga mosqenia në qenie me dëshirën tënde, e mban krijesën me pushtetin tënd dhe e qeveris botën me kujdesin tënd.
Përpara teje dridhen gjithë fuqitë qiellore;
Ty të himnon dielli; Ty të lavdëron hëna; Ty të rrethojnë yjet; Ty të bindet drita; Ty ta kanë frikën humnerat; Ty të shërbejnë burimet. Ti e ndeve qiellin porsi kurtinë, Ti e mbështete tokën mbi ujëra, Ti e rrethove detin me rërë, Ti e derdhe ajrin për të marrë frymë”. (Nga shërbesa e Pagëzimit të Shenjtë)
Kjo ditë e veçantë reflektimi na mësoi që sa herë që vështrojmë krijimin, le të kujtojmë që jemi në botën e Perëndisë dhe në praninë e Krijuesit të saj. Njeri i vërtetë është ai që ngado që hedh sytë, gjen Krishtin dhe gëzohet në Të. Gjithë botën duhet ta konsiderojmë si diçka të shenjtë, si një mjet komunikimi me Perëndinë. Prandaj, në të gjitha momentet e jetës sonë të përditshme, le të sjellim ndërmend praninë e Perëndisë. Nëse nuk e sjellim, atëherë momentet e jetës sonë do të jenë të zbrazëta. Në çdo gjë duhet të gjejmë Perëndinë. Po ashtu duhet ta gjejmë Perëndinë edhe në gjithë njerëzit.
Falenderojmë Zotin për bekimet e shumta që sjell në jetën e secilit prej nesh.