Me gëzim të madh, një përfaqësi nga Rinia Orthodhokse e Tiranës, nisi sot traditën e bukur të Kolendrave në Qendrën për fëmijë me nevoja të veçanta “Pëllumbat”.
Gjatë aktivitetit, në atmosferë festive, u kënduan këngë të krishtera të Krishtlindjes, u ndanë dhurata për fëmijët e qendrës dhe ne fund u servir nje koktail te pregatitur për ta.
Bekim i veçantë i grupit rinor tē Tiranës duke përcjellë gëzimin e Lindjes së Shpëtimtarit Jisu te Qendra Rezidenciale për moshën e tretë Familja e Dashurisë “Hyjlindësja Mari”.
Nën drejtimin e përgjegjësit të Zyrës së Rinisë, Atë Grigor Pelushit, gjatë këtyre momenteve u kënduan plot entuziazëm kolendra dhe u psalën tropare Krishtlindjesh te foleja më e dashur dhe më e bukur që Kisha jonë ka ndërtuar në shërbim të grave të moshuara, falë dashurisë dhe dhembshurisë së pafund të Kryebariut tonë, Anastas.
Atë Grigori theksoi që drita dhe paqja e kësaj të kremteje të madhe le të mbushë aq shumë zemrat tona, saqë dritat e jashtme të mos na duken aq të forta. Ky është në të vërtetë kuptimi i Krishtlindjes, që Foshnja Jisu të mbretërojë gjithmonë në zemrën tonë, dhe kështu paqja, gëzimi e drita do të na mbushin ne dhe personat rreth nesh çdo ditë të jetës sonë.
Në fund të rinjtë i dhanë secilës nënë një mesazh të bukur Krishtlindjeje të punuar nga vetë ata.
Kolendrat do të vazhdojnë nesër edhe në qendra të tjera me të moshuar e fëmijë.