Për ne e rëndësishme është se si ta jetojmë si duhet Krishterimin tonë. Në këtë përpjekje, Kisha jonë na ka dhënë disa udhërrëfyes për të na ndriçuar. Një shumicë e panumërt shenjtorësh hedhin dritë në jetën tonë dhe na japin një shembull jashtëzakonisht të rëndësishëm. Por ndërgjegjja jonë orthodhokse na ka caktuar si udhërrëfyes tri figura të shquara, Tre Hierarkët e Mëdhenj, dhe një prej tyre është Shën Vasili i Madh. Kisha e nis Vitin e Ri pikërisht me kremtimin e kujtimit të tij. Bashkë me të, ekziston edhe tradita më popullore e ndarjes së Kekut të Shën Vasilit. Dy personat e tjerë që ju i njihni, janë Shën Grigor Theologu dhe Shën Joan Gojarti. Më 30 janar kremtuam këta Hierarkë të shenjtë. Vitin që vjen, duhet ta organizojmë më mirë këtë festë dhe ta caktojmë si festë të rinisë. Po jua shpjegoj arsyen. Sikurse ju thashë, ka një shumicë të panumërt shenjtorësh, por e veçanta për këta të tre, që sapo përmendëm, është se ata ndërthurin në vetvete tre elementë mjaft të rëndësishëm: ishin njerëz që e morën Krishtin në mënyrë shumë serioze dhe besuan tek Ai me shpirt. Kishin besim të thellë, të cilin e forcuan akoma më shumë me jetën e tyre të rreptë asketike, si dhe me anë të studimit. Një veçori tjetër e tyre e vyer ishte se zotëronin aftësi të shumta intelektuale. Në të njëjtën kohë, Shën Vasili i Madh dhe Shën Grigor Theologu, studiuan së bashku mjaft shkenca në Athinë, e cila ishte qendër e shkollimit filozofik të gjithanshëm të kohës. Pas tyre, të njëjtën gjë bëri edhe Shën Joan Gojarti, i cili studioi në qendrat më të mira arsimore e kulturore. Shkrimet e tyre kanë mbetur në të gjithë shekujt si më të rëndësishmet dhe më të hyjfrymëzuarat që kemi; ata ishin jo vetëm intelektualë të famshëm të kohës së tyre, por dhe të asaj që do të vinte më pas. Elementi i tretë i rëndësishëm i tyre ishte se ata, jo vetëm folën rreth dashurisë, por dhe e vunë në jetë. Nga pozicioni që kishin në shoqëri, treguan përkujdesje e dhembshuri shumë të madhe ndaj njerëzve të lënë mënjanë e të braktisur, ndaj atyre që vuanin. Shën Vasili krijoi një qytet të madh bamirësie që, për nder të tij, quhej Vasiliada, qendër e rëndësishme për lehtësimin e vuajtjeve sociale të shoqërisë njerëzore në atë kohë. Pra, ata ishin shumë të ashpër me veten e tyre nga ana asketike, por dashamirës ndaj të tjerëve dhe shfaqnin dashuri shumë të madhe për njerëzit në nevojë.
Bijtë e mi, në rast se do të kthehemi në situatën që po jetojmë në vendin tonë, një prej plagëve të mëdha, që ka shoqëria jonë e sotme, është pikërisht mospasja e njerëzve të tillë. Sigurisht, edhe ka shembuj, por janë të paktë. Ne kemi nevojë për intelektualë seriozë, por që kanë pjekuri në jetën e tyre shpirtërore dhe ndjeshmëri sociale ndaj të tjerëve. Besoj që të gjithë ju, në saje të dhuratave që ju ka falur Perëndia, të aftësive tuaja, dëshironi që të punoni e të kultivoni këto tri drejtime që thamë. E di se të gjithë vazhdoni studimet, por dua që përpjekja juaj për t’u pajisur me njohuri, të mos mbetet vetëm në sipërfaqe të dijes dhe shkencës, por të studioni sa më të thellë objektin e studimit tuaj, sepse çdo shkencë në vetvete është kërkim i së vërtetës. Nuk mund të ketë zhvillim të vërtetë të shkencës, pa kërkuar, së pari, të vërtetën; dëshiroj që ju të jeni sa më të zotë në lëndën ku studioni, nga ana tjetër, jeta juaj e fortë shpirtërore, ushtrimi juaj shpirtëror do t’ju japë guximin për t’u përballur me sfidat e së ardhmes. Që ta jetoni siç duhet jetën tuaj të krishterë, nevojitet të ripërtëriheni vazhdimisht nga ana shpirtërore. Pa marrë frymë nga burimet që na ka dhënë besimi ynë, siç është Shkrimi i Shenjtë, nga leximi i tij i përditshëm, besimi ynë bie lehtësisht dhe jeta jonë pëson rënie, dobësohet në tërësinë e saj.
Gjëja e tretë që kërkoj nga ju, është të ruani sensibilitetin tuaj social. Kjo gjë është e zbehtë ose mungon brenda shoqërisë sonë dhe është plagë e njerëzimit në kohën dhe botën tonë moderne. Kjo ka goditur mbarë botën, por në vendin tonë është mjaft e theksuar. Kemi një grup njerëzish që u kthyen përsëri në oligarkinë e vjetër, e cila këtu te ne ka ekzistuar, duke përftuar të mirat për t’i shijuar vetëm për vete; nga ana tjetër, shumica e popullit edhe sot vuan e privohet. Prandaj, duhet që njerëzit që do të udhëheqin në fushat ku studiojnë, në ambientin ku ndodhen dhe më gjerë, në përpjekjen e tyre për të ecur përpara në jetë, të kenë dhuratën e ndjeshmërisë sociale. Jo të gjithë do të kenë mundësinë të bëjnë donacione të mëdha, por të gjithë mund të ofrojmë diçka për njerëzit që vuajnë.
“Atë Grigori, mendoj se duhet që në këtë fushë të organizoheni sa më mirë dhe, krahas veprimtarive të tjera që ju kryeni, të krijoni grupe të tilla të rinjsh, që të japin ndihmesë edhe nga ana sociale.” Ka shumë të moshuar, të cilët jetojnë të vetmuar në katet e larta të pallateve të vjetra dhe pa ashensor, dhe shumë pak mendojnë për ta, për jetën e tyre. Ka fëmijë të varfër, që kanë nevojë t’u rrijë dikush pranë, t’u lexojë diçka; ka dhe plot vuajtje të tjera ku ne mund të ndihmojmë.
Rinia jonë Orthodhokse nuk duhet të mbetet vetëm në organizimin e disa takimeve apo diskutimeve nga ana teorike, por qysh tani duhet të merrni nisma për të ndihmuar në këtë fushë. Nuk po zgjatem më tej, mendoj që, pas ndarjes së Kekut të Shën Vasilit, që do të bëjmë këtu, do të kemi rastin të flasim më shumë. Besoj se keku do të jetë i mjaftueshëm për ne dhe në fund do t’ju jap të gjithëve Kalendarin e vogël të Kishës, sepse brenda ka pasazhet e Shkrimit të Shenjtë, që ne i lexojmë çdo ditë. Përpiquni që të mos e nisni ditën pa lexuar më parë diçka prej Shkrimit të Shenjtë. Avantazhi i këtyre leximeve, në krahasim me leximet e tjera, është se ne lexojmë të gjithë të njëjtën gjë dhe marrim të gjithë të njëjtin mesazh. Gjëja më kryesore për këta tre shenjtorë, për Tre Hierarkët, veçoria e tyre njohëse, ishte se ata e themeluan jetën e tyre pikërisht mbi Shkrimin e Shenjtë. Do t’ju jap edhe një kartolinë, vendoseni ku të doni, në tavolinën e punës apo në zyrë. Në të janë dy thënie të marra nga Shkrimi i Shenjtë: një nga Dhiata e Vjetër dhe tjetra nga Dhiata e Re.
Të bësh drejtësi dhe të jesh i vërtetë, është më e pëlqyer për Perëndinë sesa blatimet me gjak. (Fjalët e Urta)
Këtë do ta përktheja në gjuhën e sotme paksa më ndryshe: pra, të jeni të drejtë dhe të thoni të vërtetën, është shumë më e rëndësishme sesa shumë lutje me kombuskinë apo të tjera gjëra që mund të bëni, sepse nganjëherë krijohet përshtypja se ne orthodhoksët merremi vetëm me gjëra të jashtme, si ikonat dhe të tjera si këto. Të gjitha këto do të na ndihmojnë që të jetojmë më thellë porositë që janë brenda Shkrimit të Shenjtë dhe një nga më përcaktueset është ky urdhërim që na jepet në Dhiatën e Vjetër. Pra, të jemi njerëz të së vërtetës dhe të drejtësisë, pa këto nuk mund të ketë jetë orthodhokse, nuk mund të ekzistojë diçka e tillë dhe Shkrimi na thotë se të flasësh të vërtetën dhe të bësh drejtësinë, këto janë gjëra shumë më të pëlqyera për Perëndinë sesa sakrificat që bëhen me gjak – në atë kohë ofroheshin sakrifica me gjak kafshësh. Atëherë ishte krijuar përshtypja se sakrificat e kafshëve që njerëzit ofronin, ishin gjërat më të rëndësishme. Që të jesh i vërtetë brenda vetes dhe në marrëdhëniet me njerëzit e tjerë, nuk është gjithmonë e lehtë, që mund ta bësh realitet, as edhe të jesh njeri i drejtë. Ju e dini që, pikërisht, këto të dyja, drejtësia dhe e vërteta, mungojnë sot në jetën e vendit tonë. Kur flasim për sëmundjen e korrupsionit në vend, le t’i bëjmë një pyetje vetes: çfarë është korrupsioni? Mos vallë është ndonjë fantazmë që vërtitet rreth nesh? Në të vërtetë është gënjeshtra e madhe që e hasim çdo ditë dhe, mbi të gjitha, padrejtësia. Pikërisht, ky është revolucioni ynë që duhet të bëjmë brenda shoqërisë, pra, që të jemi njerëz të drejtë dhe të vërtetë. Ka dhe diçka tjetër që është më e përparuar se kjo; ndodhet në anën tjetër të kartolinës, që ju do ta merrni më pas.
Kujtoni fjalën e Zotit Jisu, sepse ai tha: Lumturi është më mirë të japësh sesa të marrësh. (Veprat e Apostujve 20:35)
Sot, pjesa më e madhe e njerëzve duan të marrin sa më shumë për veten e tyre, ky është parim që mbizotëron në jetën tonë. Por, që të vazhdojmë më tej revolucionin shpirtëror, ne duhet të ofrojmë tek të tjerët çdo gjë që Perëndia na ka falur, t’i ndajmë këto të mira me njerëzit e tjerë. Në rast se kjo është dija që ne zotërojmë, në rast se është buzëqeshja jonë, në rast se kemi të ardhura të mjaftueshme, në rast se është optimizëm ajo që kemi, të gjitha duhet t’i bashkëndajmë me njerëzit e tjerë, bashkë me gjithë të mirat e tjera që Perëndia na ka falur dhe do të na falë. Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe gjërat shpirtërore, të cilat, gjithashtu, duhet t’i ndajmë me të tjerët.
Kohët e fundit, jam lodhur së dëgjuari nga shumë politikanë që thonë fjalë të shenjta dhe i përdorin ato aq shumë, saqë ngjajnë si copa basmash tejet të përdorura, si p.sh.: dashuri, shpresë, solidaritet. Por, në thelb, çfarë ndodh me këto fjalë që ata përdorin? Atyre u del boja dhe nuk prekin, humbasin kuptimin dhe forcën e tyre. Nuk mund të thuash që të dua dhe as nuk mundesh dot të duash tjetrin, në rast se nuk ke të vërtetë dhe drejtësi në vetvete.
Tani do të ndajmë Kekun e Shën Vasilit. Nuk dua të mbetemi në fjalë të përgjithshme për sa folëm, viti që jemi dhe ai që do vijë duhet të mbështeten në ripërtëritjen e vazhdueshme shpirtërore që ne marrim prej Shkrimit të Shenjtë, si dhe në përpjekjen që duhet të bëjmë për të qenë të drejtë dhe të vërtetë dhe duhet që të ofrojmë, sepse kjo është më mirë sesa vetëm të marrim. Kur nisim Vitin e Ri, zakonisht urojmë të kemi një Vit të Ri të mbarë, por sekreti që ky vit të jetë i mbarë është pikërisht kjo që ju thashë. Dhe, nëse duam që ta gëzojmë jetën, ta jetojmë atë plotësisht, ato, për të cilat folëm këtu, në jetën tonë t’i bëjmë realitet, ky është sekreti.
Uroj me gjithë zemër, për të gjithë ju, që të keni gjithnjë Hirin e Perëndisë dhe të kujtoni shembujt që Kisha na jep dhe na vendos përpara në jetën tonë.