Vepër konkrete në ndihmë të Kishës dhe komunitetit në qytetin e Gramshit!
Vepër konkrete në ndihmë të Kishës dhe komunitetit në qytetin e Gramshit!
Me bekimin e Kryepiskopit Anastas dhe nën kujdesin e Mitropolitit të Elbasanit Hirësi Andonit, Zyra e Rinisë së Kryepiskopatës në bashkëpunim me Stafin e Zyrës së Fëmijëve të Tiranës dhe Zyrën e Katekizmit të Mitropolisë së Elbasanit nga data 16 – 19 Korrik 2020, ndërmori nismën nën logon “Shërbim, Ofrim dhe Shpresë”.
Nisma konsistoi duke bërë të mundur lyerjen tërësore së jashtmi të Kishës së “Metamorfozës së Zotit Krisht Shpëtimtarit” me sipërfaqe rreth 1200 m2 si edhe Kambanoren e kësaj Kishe me sipërfaqe rreth 300 m2.
Gjithashtu u lyen kangjellat nga vetë stafet e zyrave që përmendëm më sipër si edhe u realizua ndriçimi tërësor i ambjenteve të jashtme.
Gjithashtu, për fëmijët e Katekizmit u përgatit një program i veçantë tre ditor me temë: “Hyjlindësja Mari, Nëna e gjithë njerëzimit”.
Siç edhe është bërë traditë, u erdhëm në ndihmë edhe këtë herë familjeve në nevojë.
Përveç ndihmave ushqimore, u ndërhy në restaurimin e dy shtëpive të cilat rrezikonin shëmbjen për shkak të degradimit të strukturës fizike të tyre. Këto ndërhyrje janë ende në proçes me shpresën se do përfundojnë së shpejti.
Për të parë nga afër gjithë këto aktivitete dhe për të drejtuar Liturgjinë e Shenjtë, ditën e Diel në datën 19 Korrik 2020, ishte i pranishëm Mitropoliti i Elbasanit Hirësi Andoni i cili u njoh nga organizatorët për të gjitha zhvillimet e këtyre ditëve.
Pas Liturgjisë Hyjnore, Hirësi Andoni vëzhgoi punimet dhe vizitoi nga afër shtëpinë e restauruar duke inkurajuar familjarët dhe duke i siguruar ata se Kisha nuk do t’i braktisë dhe do të jetë pranë tyre gjithmonë duke u ofruar ndihmë konkrete.
Sigurisht që nuk mund të mos permendim donatorët dhe dhuronjëst që ofruan për ta bërë realitet këtë nismë që do të pasohet nga të tjera së shpejti:
1. Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Fortlumturinë e Tij, Imzot Anastasin si edhe Mitropolitin e Elbasanit Hirësi Andonin.
2. Miqtë e Famullisë së Kishës së Metamorfozës së Zotit Shpëtimtar, VONO Apeldoorn, Hollandë me përfaqësues z. Jaap Kappers.
3. Miqtë tanë Marien dhe Serafimin.
Gjithashtu, mirënjohje të veçantë për Bashkinë e Qytetit të Gramshit me drejtues të saj z. Klodjan Taçe, i cili u interesua personalisht për mbarëvajtjen e të gjithave punimeve që u kryen në këto ditë duke na lehtësuar të gjitha proçedurat dhe duke bërë të mundur realizimin e tyre.
Të gjithë ustallarët dhe mjeshtrat të cilët punuan me përkushtim dhe vetmohim sipas porosive që morën nga drejtuesit e tyre.
Stafet e Zyrës Rinore, Zyrës së Fëmijëve të Kryepiskopatës si edhe stafin e Zyrës së Katekizmit të Mitropolisë së Elbasanit.
Gjithashtu falenderojmë edhe besimtarët e devotshëm të Kishës të cilët hapën dyert e shtëpive të tyre duke na strehuar ne të gjithëve!
Lavdi Perëndisë për të gjitha!
Të tjera nisma të tilla janë objektiv i Zyrës Rinore të Kryepiskopatës së Tiranës.