Me dashurinë e Krishtit mundim frikën dhe indiferentizmin- Fillimi i Aktiviteteve viti 2021-2022!

Me dashurinë e Krishtit mundim frikën dhe indiferentizmin- Fillimi i Aktiviteteve viti 2021-2022

Një i krishterë i vetëm, nuk mund të jetë i krishterë, na këshillojnë të urtit. Ndaj Kisha jonë në drejtimin plot urtësi të Kryepiskopit Anastas i kushton vëmendje të veçantë edukimit në besim të brezit të ri. Për më shumë se 25 vjet Zyra e Rinisë organizon programe të ndryshme që kanë qëllim rritjen në besim të të rinjve dhe përgatitjen e tyre si apostuj të dashurisë së Krishtit në botën e mbërthyer në prangat e vetmisë dhe të indiferentizmit. Sot, pas Liturgjisë Hyjnore, ora 10:30-12:00, te Salla e Rinisë pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit” u zhvillua Ajazma, Shërbesa e bekimit të vogël të ujit, për fillimin e programeve të Zyrës Rinore. Motoja e këtij viti: “Me dashurinë e Krishtit mundim frikën dhe indiferentizmin”, do të nxitë të rinjtë në komunitet dashurie në Krishtin dhe dashuri plot dhembshuri ndaj të tjerëve rreth tyre. Atë Grigor Pelushi, përgjegjësi i Zyrës Rinore theksoi rëndësinë e bekimit që kryen kisha për çdo fillim pune, programi, për bekimin e vendit ku takohemi, objekteve dhe personit në tërësi. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e frymës misionare të Kishës, ndarjes së besimit me të tjerët, si detyrë parësore e çdo të krishteri. Troparet e shërbesës së Ajazmës i ftuan të rinjtë në pendim, kthimin te Zoti, dhe që të gjejnë strehë të sigurtë tek Ai, Nëna e Tij dhe shenjtorët. “Më jep edhe mua të padenjit ndjesën e mëkateve, të lutem, o Krishti im, me ndërmjetimet e asaj që të lindi, si i dhembshur. Jepmë jetë ti që linde Jetëdhënësin dhe Shpëtimtarin; shpëtomë me ndërmjetimet e tua, o shpresa e bekuar e shpirtrave tanë. Hapna derën e dhembshurisë, o Hyjlindëse e bekuar; ne që kemi shpresë tek ti, të mos gabohemi, shpëtofshim me anën tënde nga rastet e këqija, se ti je shpëtimi i të krishterëve”. Në fund të takimit të rinjtë kaluan kohë me njëri-tjetrin, duke folur për sfidat e jetës studentore dhe nevojën e madhe për miqësi të vërtetë. Takimi u mbyll me lutjen për një vit akademik të bekuar, plot hir e dashuri për Zotin e njëri-tjetrin.