Aktivitet Shpirtëror me të rinjtë orthodhoksë të tiranës në Manastirin e hirshëm të “Shën Vlashit” në Durrës
Të Dielën e Tretë të Kreshmës të rinjtë orthodhoksë të Tiranës e kremtuan këtë ditë në një aktivitet të veçantë në Manastirin e “Shën Vlashit”, Në Durrës.
Dita nisi me pjesëmarrjen në Liturgjinë Hyjnore duke adhuruar Perëndinë dhe nderuar Kryqin e Shenjtë! Në fund at Emanueli, Prifti i enorisë mbajti predikimin me mesazhe drejtuar të rinjve. Ndër të tjera ai theksoi se: “Kryqi na ndihmon dhe inkurajon për të vazhduar rrugën e Kreshmës, gjithashtu ai na shoqëron gjithë ditët e jetës sonë. Duke pranuar kryqin pranojmë dhe Krishtin. E nderojmë jo thjesht si simbol por si vetëmohim e dashuri për Perëndinë. Nuk mjafton vetëm të mbajmë kryqin në qafë, por edhe në shpirtin dhe zemrën tone. E marrim që me Pagëzimin e shenjtë dhe gjithë jetën tonë. Zoti thotë që secili prej nesh ta marri me vullnetin tonë të lirë kryqin dhe të përqafojmë rrugën e Kryqit që të ndjekim rrugën e Krishtit”.
Më pas të rinjtë ndoqën prezantimin rreth Akademisë Theologjike dhe Departamentit të Theologjisë dhe Kulturës të KU “LOGOS”nga z. Klajdi Dervishi. Studentët ndan eksperiencat e tyre mbi përjetimin dhe mundësitë që ofron ky program.
Më pas at Grigori u drejtoi të rinjve mesazhe mbi rolin dhe rëndësinë e klerikut në kishën tonë dhe kontributin që duhet të ofrojmë ne të gjithë: “Jemi ne të rinjtë që duhet të kontribuojmë për Kishën tonë duke mos qënë spektatorë por pjesë e qënësishme e saj duke ndjekur edukimin fetar që na i mundëson Kisha e Shenjtë këtu në Shqipëri në këtë Akademi me bursë të plotë dhe në kushte bashkëkohore nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas dhe duke marrë përgjegjësi për të shërbyer si klerikë dhe mësues të Kishës në të ardhmen. Të gjithë ata që studiuan në këtë Akademi Theologjike edhe vendosën të kontribuojnë për Kishën, Kryepiskopi u ofroi mundësi që të shërbejnë aty ku gjithsekush prej nesh ofron më të mirën e tij. Nëse ne realisht e duam Zotin edhe Kishën tonë duhet të kontribuojmë për të”.
Të rinjtë vizituan dhe bibliotekën e Akademisë duke u njohur me titujt e shumtë të librave dhe rëndësinë e përdorimit të tyre. Më pas të gjithë drekuan duke kaluar një kohë cilësore me njëri tjetrin!
Dhe në fund më e rëndësishmja dhe qëllimi i këtij aktiviteti ishte se të rinjtë u mblodhën së bashku për të mësuar nën kujdesin e priftëreshë Nestildës dhe znj Theofani si të përgatisin Bukën e Meshës dhe këtë gjë e realizuan dhe në praktikë duke përgatitur vet Bukë Meshe që më pas u ofruan për Manastirin edhe për Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.
Të ruajmë, të gjallërojmë edhe të pasurojmë traditat e bukuara që na ka trashëguar Besimi ynë Orthodhoks me dashurinë për Zotin tonë Jisu Krisht edhe për Kishën e Tij të Shenjtë!