Të bëhemi nxënës të Krishtit- Konferenca Rinore Maj 2022!

Të bëhemi nxënës të Krishtit- Konferenca Rinore Maj 2022!

Në datën 28 maj, me bekimin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Anastasit, u zhvillua Konferenca Rinore me pjesëmarrjen e grupeve rinore nga Kryepiskopata dhe Mitropolitë në mjediset e Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, me temë: “Të bëhemi nxënës të Krishtit – peshkatarë njerëzish”. Kjo konferencë përkoi edhe me vitin jubile, 30-vjetorin e ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nën drejtimin e Kryepiskopit, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Në këtë veprimtari morën pjesë rreth 110 të rinj. Programi nisi me Shërbesën e Mëngjesores në Katedrale, më pas u krye regjistrimi i pjesëmarrësve. Në vazhdim, në sallën e Qendrës, atë Grigori uroi mirëseardhjen dhe ftoi folësin e parë, atë Emanuel Lushën, i cili përmblodhi historinë e Krishterimit në trojet tona, duke nisur që nga shek. I pas Krishtit, por duke u përqendruar kryesisht në ringritjen kanonike të Kishës sonë 30 vitet e fundit. Ai theksoi se në këto 3 dekada është kryer një vepër ndërtimore sa në shumë shekuj. Pastaj, të rinjtë ndoqën një dokumentar të shkurtër të veprës hierapostolike të Kryepiskopit Anastas, ku paraqiteshin në formë vizuale të gjitha sa përmendi në fjalën e tij atë Emanueli. Konferenca vijoi me prezantimet e Kolegjit Universitar “Logos” dhe të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” nga dr. Thoma Shkira, z. Klajdi Dervishi si dhe të Shkollës së Muzikës Bizantine “Shën Joan Kukuzeli” nga protopsalti i Kryepiskopatës, z. Theodhor Peci, i cili është edhe drejtori i shkollës. Veçantia e këtij aktiviteti ishte prania dhe fjala e Kryepiskopit Anastas. Me gëzim, ai u foli të rinjve për ndikimin e thellë të rinisë në jetën dhe organizimin e Kishës përgjatë viteve, duke iu referuar dhe përvojave personale në rini, por edhe pas ardhjes në vendin tonë si Ekzark Patriarkal dhe më pas si Kryepiskop. Ndër të tjera, duke folur për rëndësinë e jetës shpirtërore të të rinjve, ai tha: “…Dua ta përmbledh propozimin tim me një frazë: Mos u pajtoni me rënien shpirtërore. Ka një rënie shpirtërore që është përhapur. Jeta jonë është shumë e vyer, e paktë nga vitet e saj dhe nuk mund ta ndotim. Duhet që të bëjmë gjithçka në dritën e Ungjillit. Gjërat e tjera janë të rëndësishme, por nuk duhet të pajtohemi me këtë rënie. Në vendi tonë është shumë e vyer puna me katekizmin, mësimet fetare…. …Nga frazat që shpjegojnë se cili është realiteti i epërm hyjnor, çfarë është Perëndia, nuk kam gjetur frazë më përmbledhëse, më të guximshme, më aktuale dhe do të thosha më revolucionare, se ajo që na thotë Shën Joan Ungjillori: “Perëndia është dashuri, dhe ai që qëndron në dashurinë, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në atë”. Ajo që ngul këmbë është se dashuria ka fjalën përfundimtare. Në këtë frazë nuk thuhet vetëm çfarë është Perëndia, realiteti i epërm hyjnor, por është edhe përkufizimi i rrugës se si komunikon dikush me këtë realitet të epërm. Dhe ky realitet përcaktohet me anë të foljes “qëndron” – “Ai që qëndron në dashurinë qëndron në Perëndinë”. Nuk janë ndriçimet e mëdha intelektuale që na çojnë te Perëndia, por të qëndrosh tek Ai, të qëndrosh në dashurinë. Mendoj se kjo na jep fuqi dhe liri, që është aq e madhe, sa nuk mund të konceptohet, është baza e jetës sonë. Mund të ketë edhe zgjidhje të tjera që mund të ofrohen, por për ne që jemi besimtarë të krishterë, kjo është zgjedhja që duhet të bëjmë, kjo është siguria jonë, që na jep forcë, ky është gëzimi ynë. Kjo është edhe e fshehta pse ne jemi kreativë dhe krijojmë vazhdimisht, kjo është e fshehta edhe e fuqisë sonë rezistuese. Kjo është gjëja më e vyer që mund të jetojmë dhe mund t’ua ofrojmë edhe njerëzve të tjerë. E thënë thjesht, kjo është bukuria që ka jeta e krishterë. Nuk duam ta imponojmë këtë me zor te dikush tjetër, por kemi të drejtën dhe aftësinë që ta shijojmë dhe ta japim edhe tek të tjerët. Pikërisht kjo është jeta jonë adhuruese, që të shprehim dashurinë tonë… Kam qenë edhe unë në moshën tuaj dhe uroj që edhe ju të vini në moshën time, por do të shikoni se me të vërtetë dashuria ka fjalën e fundit dhe do thotë gjithmonë fjalën e fundit..” Pas këtij frymëzimi dhe ushqimi shpirtëror, të rinjtë drekuan së bashku dhe kënduan shumë këngë kishtare e himne, të cilat krijuan atmosferë mjaft festive. Aktiviteti përmbyllës i kësaj konference u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar, ku të rinjtë, të ndarë në grupe, vizituan pavijone të ndryshme të tij.