Kampet Verore për vajzat dhe për djemtë nga datat 28 deri në 31 Korrik 2022

Kampet Verore për vajzat në Manastirin e Boboshticës (Fjetja e Hyjlindëses Mari) dhe për djemtë në Manastirin e "Shën Joan Pararendësit" në Voskopojë nga datat 28 deri në 31 Korrik 2022

Me bekimin e Kryepiskopit Anastas dhe me kujdesin e veçantë të Mitropolitit të Korçës Hirësi Joanit, nisën të Enjten më 28 Korrik kampet e rinisë orthodhokse të Kishës sonë. Për vajzat ky kamp u zhvillua në Manastirin e Boboshticës që i është dedikuar “Fjetjes së Hyjljndëses Mari”, në natyrën e mrekullueshme të këtij fshati piktoresk dhe për djemtë në Manastirin e hirshëm të “Shën Joan Pararendësit” në qytezën e hershme të Voskopojës. – Tema e kampit ishin fjalët e Zotit Krisht në ungjill: “Ju jeni drita e botës”. Në këtë aktivitet morën pjesë 30 vajza dhe 25 djem nga Mitropolitë e kishës sonë. Programi i kampit ishte i larmishëm me shërbesa, lutje, agripni, pelegrinazhe në kishat e Voskopojës, Vithkuqit dhe Boboshticës. Fillimisht, ditën e parë të kampit vajzat vizituan kishat historike të fshatit të Boboshticës ndërsa djemtë u njohën me historikun e Voskopojës dhe kishave të saj. Ditën e dytë të kampit të gjithë pjesmarrësit udhëtuan drejt fshatit të Vithkuqit ku u pritën në Manastirin e “Apostujve Petro dhe Pavël” nga kleriku famulltar në këtë fshat sa të hershëm, mistik dhe tërheqës, Atë Dhimitraqi. Mbas lutjeve falenderuese në Manastir u njohëm me historinë e këtij fshati. Më pas vizituam disa prej kishave të shumta që gjendeshin aty si Kisha e Shenjtorit të Ilirisë Shën Nikodhimit birit të Vithkuqit dhe kishën e hirshme dhe madhështore të Kryeëngjëjve. Të rinjtë patën mundësinë të marrin Misteret e Shenjta si, Kungimin e Shenjtë dhe Rrëfimin e Shenjtë, i cili kryhet me prift rrëfyes. Të premten në mbrëmje nën drejtimin e klerikëve të Mitropolisë së Korçës u zhvilluan Agripni në të dyja kishat e Manastireve. Të Shtunën Hirësia e Tij Mitropoliti i Korçës Hirësi Joani mbajti dhe një temë shpirtërore me të gjithë të rinjtë duke theksuar se jeta reale në këtë bote është vetëm jeta e jetuar me Perëndinë e Dashurisë. Mbas takimit me Mitropolitin Joan të rinjtë u drejtuan drejt Voskopojës ku na priti Atë Thomai, kleriku që shërben prej tre dekadash në këtë qytezë. Ditën e Dielë që herët u nisëm për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë. Ky kamp shërbeu si një udhëtim shpirtëror për të jetuar së bashku si një familje, si një komunitet i vërtetë i krishterë përgjatë këtyre ditëve. Lutjet, temat shpirtërore, bisedat, udhëtimet, njohja dhe miqësia me njëri-tjetrin ishin qëllimi i këtij kampi – ofrimi i ushqimit shpirtëror që është i domosdoshëm për çdo qenie njerëzore. Kampet me kohë të plotë të Kishës sonë rikthehen mbas 3 vjet pezullimi për shkak të masave parandaluese anti-Covid. Këto kampe menaxhohen nga Zyra e Rinisë pranë Kryepiskopatës së hirshme. Lavdi Perëndisë për të gjitha!