Misteri i Martesës

Martesa si Mister është një vepër e shenjtë.

Martesa si Mister është një vepër e shenjtë. Ajo bazohet mbi lidhjen e natyrshme nëpërmjet pëlqimit reciprok – të burrit dhe të gruas. Kjo lidhje e natyrshme bëhet e shenjtë dhe shpirtërore kur shenjtërohet dhe lartësohet në dinjitetin e misterit me anë të ceremonisë dhe lutjeve të Kishës. Kjo lidhje e natyrshme midis burrit dhe gruas në martesë është prej Perëndisë për rritjen dhe shtimin e racës njerëzore. Dhe kjo u kuptua qartë nga Adami, kur ai pa Evën për herë të parë, duke thënë: “Kjo (gruaja) është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri. Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm” (Zanafilla 2:23-24). Edhe sigurisht, ishte Perëndia i Cili  e bashkoi çiftin e parë dhe i Cili kremtoi, në një kuptim, martesën e tyre në Parajsë me bekimin që Ai u dha të dyve, burrit dhe gruas duke u thënë: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundojeni” (Zanafilla 1:28).