
Kisha Orthodhokse gjithmonë e ka konsideruar trupin dhe shpirtin si të pandarë. Ne njerëzit jemi qenie psiko-somatike. Për këtë arsye Kisha ka theksuar rëndësinë e përkujdesjes si ndaj trupit ashtu dhe ndaj shpirtit.
Që nga fillimi Kisha jonë beson se sëmundja e mendjes ose shpirtit ka lidhje me sëmundjen e trupit. Prandaj Kisha jonë Orthodhokse na pajis me Misterin e Vajimit të Shenjtë, duke ndjekur Urdhëresën e Zotit tonë Jisu Krishtit dhënë dishepujve të Tij: “Shëroni të sëmurët, pastroni lebrosët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët” (Mateu 10:8). Kremtimi më i njohur i këtij Misteri kryhet të Mërkurën e Javës së Shenjtë, në Javën kur bota Orthodhokse kujton Pësimet e Krishtit dhe sakrificës së Tij në Kryq. Misteri i Vajimit të Shenjtë në Greqisht (Efqelion – që do të thotë vaj-lutës) është një Mister i fortë i Besimit për shërimin e sëmundjeve, lehtësim të vuajtjeve dhe faljen e mëkateve.
Misteri i Vajimit të Shenjtë kremtohet për të zgjuar shpresë, për të dhënë kurajë, dhe për të sjellë paqe tek cilido që vuan nga efektet e sëmundjes, qetëson dhimbjet dhe lehtëson ndjenjat e dhunimit që shpeshherë shkaktojnë vuajtje.
Në fakt, Misteri është një zbrazje e hirit hyjnor i cili shëron njeriun që vuan, jo tamam si ilaçi por më tepër si një ribashkim në shenjtëri, në jetën e re, një ripërtëritje. Parakushti kryesor është që të sëmururit duhet të jenë penduar dhe janë të gatshëm për të hequr dorë nga jeta e mëkatit dhe e vdekshmërisë dhe të dëshirojnë një jetë të mbushur me hirin e Perëndisë.
Vajimi i Shenjtë ashtu si të gjitha Misteret e Kishës Orthodhokse përmban shenja të dukshme dhe të padukshme. Shenjat e dukshme përfshijnë vajin që bekohet nga Priftërinjtë dhe përdoret për vajim, dhe fjalët që përfshijnë lutjet, himnet dhe leximet prej Shkrimit të Shenjtë që përbëjnë Shërbesën.
Shenja e padukshme është hiri i Shpirtit të Shenjtë që depërton dhe shëron trupin dhe shpirtin e të sëmurit.
Vaji që përdoret për Efqeli nuk duhet të ngatërrohet me vajin e Krezmimit, i cili mund të sigurohet dhe shenjtërohet vetëm nga Peshkopi i cili është kreu i një Kishe Autoqefale. Që në lashtësi, vaji i ullirit është përdorur si një mjet shërues. Kultura të hershme e konsideronin vajin e ullirit jo vetëm si një mjet shërimi por gjithashtu si simbolin e fuqisë dhe dritës. Në referenca të përsëritura biblike, Krishti dhe Apostujt theksojnë se vaji i ullirit shërben si një mjet shërimi.
Shërbesa e Vajimit të Shenjtë përmban Mëngjesoren e ndryshuar, lutjen e mëngjesit të Kishës, një lutje për shenjtërimin e vajit, një set prej shtatë mësimesh nga Apostulli, dhe shtatë lexime nga Ungjilli dhe lutjen për vajosjen e të sëmurit.
Vaji që përdoret në këtë Mister është vaj ulliri i përzier me pak verë si simbol i Gjakut të Krishtit, bekuar nga Priftërinjtë gjatë Shërbesës. Përzierja e vajit dhe verës bëhet sipas shembullit të Samaritanit të Mirë, siç përshkruhet në leximin e Ungjillit të parë.
Momenti i vajimit, i shoqëruar me lutjet përkatëse për personat që po kryhet ky mister, është momenti më i rëndësishëm i Misterit të Vajimit, sa të pashprehshëm po kaq real.
Shenja e dukshme, vaji i shenjtëruar, shndërrohet në hirin e padukshëm të Shpirtit të Shenjtë që depërton në trupin dhe në shpirtin e të sëmurit duke i dhuruar një shërim të mistershëm.
Misteri i Vajimit të Shenjtë nuk kryhet vetëm të Mërkurën e Madhe të Javës së Shenjtë kur besimtarët vajohen si përgatitje për të marrë Kungimin e Shenjtë ditën tjetër. Vajimi i Shenjtë mund të bëhet në çdo kohë, në çdo vend – në Kishë, në shtëpi, në spital kudo ku nevojitet, kurdoherë me shpresën e shërimit dhe të faljes së mëkateve.
Kisha Orthodhokse thekson se qëllimi parësor i vajimit është shërimi dhe falja. “Shkoni” u tha Ai dishepujve “Lyeni të sëmurët me vaj dhe shërojini ata”.
Meqenëse nuk është gjithmonë dëshira e Perëndisë që të jetë një shërim fizik, përmbajtja e misterit mbetet gjithmonë lutja e Krishtit, që të bëhet gjithnjë dëshira e Perëndisë. Për më tepër, qëllimi i qartë i Misterit është që, nëpërmjet lyerjes së trupit të sëmurë, vuajtjet e personit të mund të shenjtërohen dhe të mund të bashkohen me vuajtjet e Krishtit. Në këtë mënyrë, plagët e mishit shenjtërohen dhe jepet forcë që vuajtjet e personit të sëmurë, të mos jenë për humbjen e shpirtit të tij, por për shpëtimin e përjetshëm, në ngjalljen dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë. Pra, Vajimi i Shenjtë është një mister shprese dhe besimi, një dëshmi e dashurisë së Perëndisë për krijesat e Tij, dhe dëshira e Tij për të ngushëlluar besimtarin nga vuajtja dhe dhimbja e çdo lloji.
Misteri i Vajimit të Shenjtë është për të sëmurin – të sëmurë fizikisht dhe mendërisht – dhe nuk është rezervuar vetëm për momentet e vdekjes. Ky mister nuk është “riti i fundit” siç dikush mendon; riti i Vajimit vetë, në asnjë mënyrë nuk tregon që duhet bërë vetëm në rastet ekstreme. Kur shuhen shpresat për mbijetesë të një besimtari nga një sëmundje, Kisha Orthodhokse ofron Kungimin e Shenjtë si përgatitjen e fundit për të hyrë në Mbretërinë e Perëndisë.
Vajimi i Shenjtë është misteri i shërimit shpirtëror, fizik dhe mendor, çfarëdo lloj natyra apo shkalla e sëmundjes.
Misteri i Vajimit në praktikën e Kishës Orthodhokse nuk është vetëm një mister individual por më tepër është një mister i bashkësisë. Pjesëmarrja e përbashkët në misterin e shërimit shërben si një kujtim i gjallë që ne duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë në vuajtjet globale që degradon jeta. Ne duhet të shohim bashkërisht tek shërimi – veprimin e dashurisë, bamirësisë dhe mëshirës të përqendruar në një shkallë globale, duke vajosur dhe shëruar botën që na rrethon nga uria, sëmundja dhe shtypja, duke ruajtur ambientin, shoqërinë tonë dhe njerëzimin nga abuzimi, shkatërrimi dhe shthurja.
“A është i sëmurë ndonjë nga ju”? pyet Shën Jakovi në Letrën e tij për të vërtetuar qëllimin e misterit – “le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, dhe le ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta mëkëmbë; dhe nëse ka bërë mëkate, ato do t’i falen”.
©2022 Rinia Orthodhokse Tiranë. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Designed by Code Studio@M.D