Misteri i Pendimit dhe Rrëfimit – Themelimi i Misterit

Misteri i Pendimit dhe Rrëfimit - Themelimi i Misterit

Ne theksojmë dhe e përsërisim që Rrëfimi duhet të kryhet përpara një Prifti, Atit Shpirtëror, sepse ai është përgjegjësi që është caktuar për këtë Mister – ai dhe askush tjetër. Zoti ynë e themeloi këtë Mister kur Ai i tha Pietrit: “Dhe Unë do të të jap çelësat e Mbretërisë së Qiejve; ç’të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe ç’të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej” (Mateu 16:19). Dhe pas Ngjalljes së Tij kur u dhuroi Frymën e Shenjtë dishepujve të Tij, Ai tha: “Merrni Frymën e Shenjtë! Kujt do t’ia falni mëkatet, do t’i jenë falur, kujt do t’ja mbani do t’i jenë mbajtur” (Joani 20: 22-23). Fjalët e Zotit tonë përbëjnë aktin themelor të Misterit Hyjnor. Me këto fjalë Ai u jep Apostujve autoritetin për të lidhur dhe zgjidhur mëkatet e njerëzve. Falja e mëkateve është vetëm nën pushtetin e tyre, ashtu siç Ai e demonstroi me shërimin e Paralitikut të Kapernaumit tek Skribët dhe Farisenjtë e këqij që dyshuan autoritetin e Tij. Dhe para se Ai të bënte mrekullinë Ai tha: “Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi dhe” – Atëherë Ai kryen mrekullinë për të provuar këtë autoritet që Ai ka – “Unë po të them” i tha të paralizuarit: “Çohu, merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde” (Marku 2:10-11). Pra kjo fuqi dhe ky pushtet është i Zotit. Ai është një pushtet hyjnor që buron nga hyjnishmëria e Tij, por gjithashtu nga Sakrifica e Tij në Kryq që Ai ofroi për faljen e mëkateve të mëkatarëve. Dhe këtë autoritet Ai ia u dorëzoi Apostujve të Tij të shenjtë. Me qëllim që ky autoritet të mbetej në Kishën e Tij, Ai ia u transmetoi atë nëpërmjet Apostujve të Tij, pasuesve të tyre, barinjve të Kishës dhe priftërinjve. Dhe vetëm ata si pasardhës të ligjshëm dhe kanonik të Apostujve, kanë autoritet për të dhuruar faljen nga mëkatet.

Dhe në të vërtetë, pas një pendimi dhe rrëfimi të thellë dhe të sinqertë, siç e kemi thënë, ata dhurojnë, me anë të lutjes së faljes, falje tek pendestari që i ka rrëfyer mëkatet e tij me brejtje të ndërgjegjes. Fakti që as engjëjt as njerëzit nuk kanë autoritet të falin mëkatet, me përjashtim vetëm të klerikëve, përmendet dhe theksohet nga Shën Joan Gojarti: “Sepse Ai nuk u tha atyre (Engjëjve) kujt do t’ia lidhni, etj, por këtë pushtet Ai ia dha Kishës së Tij. Edhe ato vendimi që merr Prifti ato i certifikon Perëndia dhe i konfirmon…. sepse ata kanë autoritet të largojnë papastërtinë e shpirtit”.

Dhe, në qoftë se ai që rrëfehet tregon pendim të plotë, ai merr falje nga Ati Shpirtëror. Në qoftë se ai nuk tregon pendimin e duhur atëherë Ati Shpirtëror i jep atij disa kanone, sipas zgjedhjes së tij, si për shembull, kreshmim, lexim të librave shpirtërorë dhe veçanërisht leximin e Shkrimit të Shenjtë, lutje, lëmoshë, metani etj. Këto kanë një qëllim edukues, domethënë qëllimi i tyre nuk është nuk është ta ndëshkojë pendestarin por ta ndihmojë atë që të tregojë pendim të vërtetë me qëllim që të marrë falje të plotë prej mëkateve. Shën Joan Gojarti duke e nxitur mëkatarin të pendohet, me një shqetësim të thellë për shpëtimin e tij, i thotë atij: “Hyr në Kishë dhe pastrohu prej mëkateve. Sepse Kisha është Spital dhe jo Sallë Gjyqi. Mos ki turp të hysh përsëri në Kishë; të të vijë turp kur mëkaton por jo kur pendohesh”.