Misteri i Priftërisë – Themelimi i Misterit

Misteri i Priftërisë - Themelimi i Misterit

Misteri i Priftërisë është gjithashtu një mister i themeluar në mënyrë hyjnore, vetë Zoti e themeloi atë. Dhe Ai e themeloi atë kur Ai zgjodhi dymbëdhjetë Apostujt për t’i përgatitur që më vonë ata të bëheshin pasuesit dhe ata që do të vazhdonin punën e Tij. Megjithatë, Ai e themeloi atë pikërisht, kur mbas Ngjalljes së Tij dhe në ditën e Pendikostisë Ai u dha atyre Frymën e Tij të Shenjtë dhe u transmetoi atyre autoritetin për të falur mëkatet, siç e pamë në Misterin e Pendim – Rrëfimit. Më vonë, Apostujt vepruan në të njëjtën mënyrë për sa i përket pasardhësve të tyre: “Dhe mbasi u caktuan atyre priftërinjtë sipas kishave, u lutën me agjërime, ia lanë Zotit, në të cilin kishin besuar” (Veprat 14:23). Në këtë mënyrë vepruan Apostujt Pavli dhe Barnaba me të Krishterët në Derbë, Ikonium dhe Antioki. Kjo quhet hirotonisje ose vënia e duarve të Apostujve ose Peshkopëve mbi kryen e atij që do të hirotoniset. “I paraqitën pastaj përpara Apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta” (Veprat 6:6; 13;3). Po kështu Timotheu u ngjit në fronin e Hirit nëpërmjet vënies së duarve nga Pavli dhe prifti. Pavli shkruan për këtë: “Mos e lër pas dore hirin që është në ty, i cili të qe dhënë në sajë të profecive dhe me vënien e duarve të kolegjit të pleqve” (1 Timotheut 4:14).

Dhe përsëri Pavli i kujton atij “të ndezë dhuratën e Priftërisë që është në ty, përmes vënies së duarve të mia” (II Timotheut 1:6). Dhe këto, vënia e duarve mbi atë që dorëzohet dhe lutjet që lexohen dhe dëgjohen gjatë hirotonisjes nga Episkopi, janë elementët e dukshëm dhe të ndjeshëm të Misterit. Elementi i padukshëm dhe mbinatyror është Hiri Hyjnor. Priftëria quhet gjithashtu përkushtim për shkak se ai që dorëzohet i kushtohet shërbesës së shenjtë dhe hirit të Kishës; ajo quhet gjithashtu telesiurgjia dhe përmbushje priftërore për shkak se nëpërmjet ceremonisë së shenjtë (telesiurgjia) ai shenjtërohet dhe përkushtohet tek kjo shërbesë tepër sublime dhe hyjnore.

Ne themi se kjo shërbesë është hyjnore për shkak se nuk është thjesht zgjedhje njerëzore por Perëndia nëpërmjet njerëzve – peshkopëve – që i thërret dhe i shenjtëron shërbyesit e Kishës së Tij. Kur Shën Pavli iu bëri thirrje nga Mileti Pleqve të Kishës së Efesit për t’i këshilluar ata që të qëndronin vigjilent kundrejt grigjës së tyre, ai tha: “Kini kujdes, pra,për veten tuaj dhe për gjithë tufën, në të cilën Fryma e Shenjtë ju ka vënë juve mbikëqyrës të kullotni Kishën e Perëndisë, të cilën Ai e ka fituar me gjakun e vet” (Veprat 20:28). Kështu që kjo shërbesë (Priftëria) është hyjnore dhe e dhënë nga Perëndia dhe jo e kësaj bote. Shën Joan Gojarti pohon: “Priftëria kryhet në tokë por ajo zotëron rendin e gjërave qiellore”. Prandaj një person nuk duhet të ngutet për të marrë këtë dinjitet të Priftërisë, por duhet të presë derisa Perëndia ta thërresë – ose nëpërmjet prirjes së tij të brendshme, ose nëpërmjet individëve të Tij të zgjedhur dhe nga rrethanat e favorshme, te kjo shërbese kaq fisnike. Shën Pavli na thotë: “Në qoftë se dikush dëshiron të bëhet peshkop, punë të mirë dëshiron” (I Timotheut 3:1) dhe gjithashtu tek Letra drejtuar Hebrenjve: “Dhe askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, por ai thirret nga Perëndia, njësoj si edhe Aaroni” (Hebrenjve 5:4). Pra e theksojmë, një person nuk duhet të ngutet, dhe aq më keq të përdor mënyra të ndryshme ose të japë mitë për ta marrë këtë shërbim, sepse duke vepruar në këtë mënyrë ai bëhet një simoniak dhe kështu i padenjë për këtë nder dhe hir.

Shënim: simoniak kujtojmë Simon Magjistarin tek Veprat e Apostujve i cili kërkoi ta blinte me para hirin (dhuntinë) e Perëndisë (Veprat e Apostujve Kap. 8).

Ata që marrin përgjegjësinë për të dorëzuar një kandidat “duhet të ekzaminojnë me imtësi jetën e atij që do të dorëzohet, dhe pastaj të luten që hiri i Frymës së Shenjtë të zbresë mbi të”, ashtu siç vepruan Apostujt kur ata duhet të zgjidhnin Shtatë Dhiakonë. Ata ftuan të gjithë besimtarët dhe u thanë: “Kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë” (Veprat 6:3). Me dëshmi të mirë, me reputacion të mirë, besimtar, i thjeshtë, i ndershëm, të mos jetë lakmues i fitimeve të turpshme, të mos dojë paranë, i butë, dinjitoz, të jetë i denjë për këtë hir dhe shërbesë të shenjtë. Sepse vetëm ata që janë të shenjtë dhe të denjë duhet të zgjidhen në rangjet e Priftërisë.