
Meqenëse çdo Mister i Shenjtë sjell Hirin Hyjnor tek njeriu dhe e bën atë të jetë si një pemë që jep shumë fruta, kjo ndodh në kuptim më të gjerë me Misterin e tërëshenjtë të Eukaristisë Hyjnore. Siç kemi thënë, në këtë Mister, ne kungohemi me Trupin dhe Gjakun e Krishtit – ne marrim dhe mbajmë brenda nesh Të Gjithëpushtetëshim dhe Zotin e Lavdisë, Perëndinë i Cili jeton dhe banon në shekuj. Kështu që frytet shpirtërore të Misterit janë jashtëzakonisht të pasura. Shpëtimi i shpirtit, ushqimi dhe mbështetja e jetës shpirtërore, përparimi dhe rritja e virtytit, rilindjes, shenjtërimit, hyjnizimit, të gjitha këto gjëra, janë dhurata hyjnore për shpëtimin dhe hyjnizimin e njeriut. Dhe duke qenë se Zoti na siguroi se Trupi i Tij është “në të vërtetë ushqim”, dhe Gjaku i Ti është “me të vërtet pije”, dhe ashtu si “buka është e domosdoshme për trupin” për ta mbajtur dhe forcuar jetën e njeriut, “kështu është edhe Fjala (Logosi) i domosdoshëm për shpirtin”. Dhe “buka dhe kupa qiellore… duke duke shenjtëruar shpirtin dhe trupin depërtojnë gjithë qenien tonë, duke i ofruar përfitime dhe të mira trupit dhe shpirtit tonë”. Ashtu siç është e pamundur të mbash jetën natyrore pa bukë dhe pa ujë, po kështu “ai që nuk ha Bukën qiellore” dhe “nuk pi Gjakun e Zotit nuk ka jetë brenda tij”. Përsëri, “pa Trupin dhe Gjakun e Zotit, që është Kungimi i Shenjtë, është e pamundur që një njeri të jetojë”, thotë Shën Qirili i Jerusalemit.
Para së gjithash përfitimi i parë është falja e maketeve, që merret nga Kungimi i Shenjtë, sigurisht pas një Rrëfimi të sinqertë. Kungimi i Shenjtë vulos dhe konfirmon faljen tonë. A nuk na tregoi Zoti që ky është fryti i parë që marrim kur Vet Ai kremtoi Misterin? “Merrni, hani” tha Ai, “pini prej këtij të gjithë….për falje të mëkateve”. Kështu që ju mund të merrni faljen e mëkateve tuaja.
Fryti i dytë i këtij Misteri është shenjtërimi i shpirtit dhe trupit. Dhe kjo është diçka e natyrshme; duke se ne marrim brenda nesh “Të Shenjtin e të Shenjtave”, pra shpirtrat dhe trupat tanë shenjtërohen, i tërë qenia njerëzore shenjtërohet dhe kështu bëhet banesë e Shpirtit të Shenjtë. Kungimi i Shenjtë transmetohet tek të gjitha gjymtyrët tona: tek shpirti, trupi, sytë, veshët, duart, këmbët, gjuha, zemra. Të gjitha këto shenjtërohen në një mënyrë të atillë saqë shkaktojnë tek ata që u kunguan që as të mos mendojnë dhe as të mos dëshirojnë, as të ndiejnë, as të bëjnë të keqen, por të bëjnë vetëm atë që është e mirë, e shenjtë dhe sipas vullnetit të Shenjtë të Atij që ata kanë marrë brenda tyre gjatë Misterit. Një fuqi dhe një ndihmë e madhe na dhurohet ne për shenjtërimin tonë meqenëse i tërë organizmi ynë fizik dhe shpirtëror depërtohet (përshkruhet) me Kungimin e Shenjtë. Ne marrim një jetë të re, jetën sipas Frymës, jetën e shenjtërisë, sipas fjalëve të Zotit tonë: “Në të vërtetë, në të vërtetë, ju them se po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të pini gjakun e tij, nuk keni jetë në veten tuaj. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme” (Joani 6:53-54).
Fryti i tretë i Kungimit të Shenjtë është hyjnizimi (theosis) ynë. Në qoftë se sipas Shën Pietrit, me besim, me fjalën e Perëndisë, me lutje, njeriu hyjnizohet dhe bëhet “pjesëmarrës i natyrës hyjnore”, sa më tepër dhe në një shkallë të pakrahasueshme ndodh kur ne kungohemi me trupin e “hyjnizuar” të Zotit. Ne Kungohemi me Perëndinë dhe bëhemi nëpërmjet hirit të ngjashëm me Atë, të ngjashëm me Shenjtorët dhe përsëri nëpërmjet Hirit Hyjnor ne bëhemi pjesëmarrës të jetës hyjnore.
Fryti i katërt është bashkimi i të gjithë të Krishterëve, që kungohen me Trupin dhe Gjakun e Krishtit, në një trup të vetëm, në një familje shpirtërore. Kjo na tregohet qartazi nga Shën Pavli kur thotë: “Sepse ne të shumtit jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesën në të vetmen bukë” (I Korithianëve 10:17). Dhe me të vërtetë, çfarë gjë e mrekullueshme, madhështore dhe e bekuar është për ne të Krishterët të bashkohemi nëpërmjet Kungimit të Shenjtë, dhe të gjithë ne të kemi një mendim, një vullnet, një dashuri dhe një jetë, ashtu si Tre Personat e Trinisë së Shenjtë, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë që kanë një mendim, një vullnet dhe një dashuri. Kjo duhet të ndodhë me të gjithë të Krishterët që kungohen me Misterin e Shenjtë të Eukaristisë Hyjnore. Ky është hyjnizimi ynë real, jeta dhe bekimi ynë hyjnor. Çfarë mister i madhërishëm dhe i lavdishëm!
Etërit e Shenjtë shprehen kështu në lidhje me këtë: “Ai që ha trupin e Shenjtë të Krishtit” forcohet dhe përparon në jetën e hirit dhe virtytit, duke qenë se “trupi ka brenda tij Logosin i Cila nga natyra është Jetë”, dhe “Zoti ynë Jisu Krisht nëpërmjet trupit të Tij fsheh pikërisht këtë jetë brenda nesh dhe e rrënjos atë brenda nesh si një farë të pavdekësisë, duke shkatërruar në këtë mënyrë prishjen që është brenda nesh”. Që do të thotë, trupi i Zotit është plot jetë dhe ai shpërndan brenda nesh farën e pavdekësisë, dhe në të njëjtën mënyrë shkatërron prishjen që është brenda nesh. Shën Agustini thotë se nëpërmjet Kungimit të Shenjtë besimtari “ha jetë, dhe pi jetë”. Pikërisht për këtë arsye Shën Vasili thekson se “të kungohesh çdo ditë dhe të marrësh Trupin e Shenjtë dhe Gjakun e Krishtit është sa e mirë po aq e dobishme”.
Prandaj në çdo Liturgji Hyjnore ne besimtarët ftohemi në Kungimin e Shenjtë për të marrë Trupin dhe Gjakun e Krishtit “për faljen e mëkateve dhe jetë të përjetshme” dhe gjatë periudhës së Pashkës ne ftohemi në Kungimin e Shenjtë me Himnin: “Merrni Trupin e Krishtit, shijoni burimin e pavdekësisë”.
Ne duhet të theksojmë gjithashtu se i Krishteri duhet t’i afrohet Misterit pas një përgatitje të kujdesshme, pas kreshmimit, pas lutjes së zjarrtë, rrëfimit të sinqertë, pajtimit me armiqtë, me lëmoshë dhe vepra bamirësie dhe dashurie, kështu që të afrohemi kur Kisha na fton: “Me frikë Perëndie, bese dhe dashurie”. Sepse kjo është gjithashtu edhe këshilla e Apostullit të shenjtë Shën Pavli i cili thotë: “Por njeriu le të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka dhe të pijë nga kupa, sepse ai që ha dhe pi padenjësish, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit. Për këtë arsye ka mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe mjaft kanë vdekur” (I Korithianëve 11:28-30).
Prandaj ne duhet t’i afrohemi këtij Misteri rregullisht dhe shpesh, por “me frikë Perëndie, bese dhe dashurie”, dhe atëherë ne do të marrim faljen e mëkateve, shenjtërinë dhe shpengimin, paqen dhe hyjnizimin, jetën e përjetshme, jetën e bekuar dhe të amshuar.
©2022 Rinia Orthodhokse Tiranë. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Designed by Code Studio@M.D