Java e Madhe – E Hëna e Madhe

E Hëna e Madhe

Rreziku i pafrytshmërisë Shembulli i të virtytshmit Josif
E Hëna e Madhe
Çdo ditë të Javës së Madhe Kisha jonë ia ka përkushtuar disa prej temave kryesore, rreth të cilave vërtiten himnet dhe leximet e shenjta. Këto tema na rikthehen përsëri si valë të njëpasnjëshme në shërbesat e Javës së Madhe.
Në Mëngjesoren e së Hënës së Madhe dhe në shërbesat e Orëve dhe të Mbrëmësores, me Liturgjinë Hyjnore të Dhuratave të Parashenjtëruara, linjat kryesore të meditimit vërtiten rreth një teme kryesore, që është ardhja e Krishtit drejt Pësimit dhe rreth dy të tjerave – të veçanta – që lidhen me kujtimin e Josifit të virtytshëm dhe të pemës së fikut, që u tha prej fjalës së Krishtit.
1.Brenda jetës adhuruese të Kishës sonë, kujtimi i vajtjes së Krishtit drejt Pësimit të Tij të vullnetshëm nuk është vetëm një rrëfim historik i ngjarjeve, që lidhen me ngjitjen e Jisuit në vendin e sakrificës, por përbën ftesën për të marrë pjesë së brendshmi, për të ecur së bashku me Zotin drejt Golgothasë dhe Ngjalljes.
Kisha i përjeton përsëri dhe në mënyrë adhuruese këto ngjarje unikale në historinë e botës. Ajo na fton që mos t’i ndjekim ato në mënyrë formale dhe emocionale, por të ngjitemi së bashku me Zotin në këto lartësi shpirtërore dhe të marrim pjesë në to përmes adhurimit. Me një ton të thellë, lirik e teologjik na e jep në mënyrë të përmbledhur tërë panoramën e Pësimit dhe na ofron ftesën për një përjetim personal të troparit të Mëngjesores të së Hënës së Madhe: “Kur vinte Zoti te pësimi vullnetar, u thoshte apostujve gjatë udhës: Ja ku po ngjitemi në Jerusalem dhe i Biri i njeriut do të përjipet, siç është shkruar për të”.
Dhe poeti e këshillon mbledhjen e besimtarëve:
“Ejani, pra, dhe ne, me mendje të pastruara, të shkojmë e të kryqëzohemi me të dhe të bëhemi për të si të vdekur për dëfrimet e jetës, që të rrojmë me të e ta dëgjojmë të thërresë: Nuk shkoj në Jerusalemin e përmbidheshëm për të pësuar, por ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, dhe Perëndia im, dhe Perëndia juaj, dhe do t’ju ngjit bashkë te Jerusalemi i sipërm, te mbretëri e qiejve”.
2.Në këtë ecje drejt të lartave, besimtari duhet të përballet me shumë vështirësi dhe pengesa të mëdha. Kisha jonë, duke përdorur gjuhën e simboleve, hedh dritë mbi “paraikonizime” dhe “parafigurime” karakteristike që kanë lidhje me Pësimin e Krishtit, por edhe me çështjet tona.
Historia e Josifit të tërëmirë ka lidhje me fenomenin e lashtë të smirës, të imoralitetit dhe të padrejtësisë së shoqërisë njerëzore, që kërkojnë ta bëjnë të pavlerë, me një mënyrë ose tjetër, njeriun e Perëndisë. Në personin e këtij njeriu të tërëmirë, të virtytshëm dhe që nuk e ruan në shpirt të keqen, Kisha e parë pa një paraikonizim të lehtë të Jisuit, një përmbledhje simbolike të Pësimit. Në fund të fundit, asnjë intrigë, asnjë bashkëveprim i forcave të errësirës nuk mundet dot të përmbysë dhe të asgjësojë planin e Perëndisë për të zgjedhurit e Tij.
Por, nga çasti kur Kisha na fton të ecim së bashku me Krishtin, të njësohemi me Atë, mesazhi nga historia e Josifit vjen dhe na prek drejtpërdrejt, për të udhëhequr secilin prej nesh. Për të ecur siç duhet dhe drejt bashkë me Jisuin, kërkohet vigjilencë, përballim siç duhet i spro- vave dhe i tundimeve, një gatishmëri asketike. Për të ecur “me mendje të pastruara” drejt Kryqit dhe Ngjalljes, nevojitet vetëpërmbajtje, dëlirësi dhe rezistencë më e gjerë ndaj shkaktarëve të vrulleve mishtore, që mbahen gjallë pareshtur nga lloj-lloj pasuesish të gruas së Petefarit.
Kisha, e cila merr pjesë me përkujdesje të dhembshur dhe urtësi të spikatur në përpjekjen shpirtërore të bijve të saj, ditën e parë të Javës së Madhe na rikujton rastin e Josifit, i cili nuk ra pre e imoralitetit të kohës së tij. Ajo na fton në një liri të brendshme brenda kushteve të pafavorshme të jetës sonë, duke na dhënë si udhërrëfyes në këtë “të moralshmin, që ndërsa e kishte trupin të skllavëruar, e ruante shpirtin të paskllavëruar”. Njëkohësisht thekson nevojën për një shikim më të gjerë të gjërave nën prizmin e planit të Perëndisë. Shumë herë e humbasim kuptimin e tyre të izoluar nga ngjarjet tona vetjake, duke mos mundur të shikojmë kuadrin e përgjithshëm.
E vërteta e jetës nuk shfaqet vetëm në një fazë të realitetit. Përndjekjet, pësimet e Josifit janë elemente kryesore të jetës së tij, por brenda të gjitha këtyre vigjilonte dashuria e Perëndisë. Rruga e besimtarëve nuk është pa re dhe e shtruar me lule. Edhe në fazat më të vështira, ajo ndriçohet prej paqes dhe shpresës. Prej njeriut të Perëndisë kërkohet që ai të qëndrojë i palëkundur në besnikërinë e tij, i patëmetë ndaj detyrimit të tij.
3.Paralelisht me trimërinë dhe besnikërinë e njerëzve të Perëndisë, në kundërshtim me shembullin e mësipërm, dita e sotme vë në pah rrezikun e pafrytshmërisë shpirtërore. Këtë na e tregon shumë qartë pema e fikut e mbushur vetëm me gjethe, të cilën Krishti e thau pak para Pësimit të Tij, për ta bërë më tronditës dhe të prekshëm mesazhin e Tij.
Që në vitet e para të krishtera, mendimi teologjik e ka lidhur këtë ngjarje me pafrytshmërinë e udhëheqjes fetare të judenjve, që ligjëronin me fjalë të mëdha dhe teori mbresëlënëse, por pa fryte të vërteta të drejtësisë dhe të dashurisë, për të cilat njerëzit kishin uri.
Ky veprim simbolik i Zotit theksoi faktin se pafrytshmëria shkakton katastrofë. Kombi judaik kishte një thirrje të veçantë dhe vetëm për këtë arsye ishte zgjedhur – që të vinte prej tij i Mirosuri, Krishti. Në fund fare, ky komb u tregua i padenjë për ta njohur – e për më tepër, thuri plane si do ta vriste.
Pema e fikut në dukje ishte premtuese, të ftonte t’i afroheshe për të shijuar frutën e ëmbël, por në realitet nuk kishte diçka esenciale për të të ofruar. Me dënimin e kësaj peme dënohen të gjithë ata që kanë një vepër shpirtërore për të kryer, që të sjellin fryte, por në fund mbeten vetëm në premtime dhe fjalë të bukura abstrakte, pa e realizuar veprën që pritej të kryhej prej tyre, atë që u kërkoi konkretisht Perëndia.
Askush nuk mund të qëndrojë në vendin e tij, nëse nuk është gjithmonë konsekuent dhe nuk jep fryte shpirtërore. Asnjë popull, asnjë komunitet, asnjë individ, sado të jetë i pajisur dhe i nderuar me dhurata të shumta të Perëndisë, nuk mund të flejë gjumë dhe të përdorë të shkuarën si alibi. Krishti, “ai që ishte, që është dhe që do të vijë”- Ai që vjen në mënyrë të pareshtur – kërkon nga ne konsekuencë. Në mënyrë të veçantë, ekzistojnë disa çaste kritike, kur këto kërkesa na shfaqen më të ngutshme, orë të tilla si atëherë kur Krishti pa pemën e fikut, që kishte vetëm gjethe të gjelbra, teksa po shkonte drejt Pësimit të Tij. Indiferenca arrogante dhe të kënaqurit vetëm me të drejtat që kemi arritur, që u ngjasojnë gjetheve të mirushqyera të fikut, na çojnë në shterpësi dhe në fund, në largimin tonë nga Perëndia.
Sa nga ne, që vijmë vërdallë me vetëpëlqim rreth së shkuarës sonë fetare, rreth lavdisë së saj, rreth orthodhoksisë sonë të sigurt, rreth gjoja të drejtave tona të trashëgueshme, sa i takon dashamirësisë së Perëndisë për ne, le të mos biem në gjumë. Fenomenet e jashtme, shpesh, na gënjejnë – gjethet pa fryt janë të padobishme. Madje, gjethet e fikut sjellin edhe gjumë tek ai që gjen prehje poshtë tyre. Pa fryte pendimi, përulësie, drejtësie, dashurie, asnjë grupim fetar apo individ nuk mund të qëndrojë dot në këmbë. Atje ku nuk ekziston vigjilenca e vazhdueshme rreth thirrjeve të reja të Perëndisë, atje rënia është një rrezik i madh i mundshëm.
Askush të mos kënaqet vetëm me të shkuarën e tij fetare. Kjo trashëgimi na mëson se kemi detyrimin për t’iu përgjigjur me fuqi të re thirrjes sonë dhe për të marrë përsipër përgjegjësinë në të tashmen, që po vazhdon të shpaloset para nesh.
Pema e pafrytshme e fikut, që bën shumë përshtypje, është sinjali i rrezikut që Kisha na e vendos në rrugën tonë-për ta shmangur atë.
Figura e Josifit të paepur ndër vështirësi, del në pah si udhëtregues në të përpjetën e përditshme të jetës sonë.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)