O vëllezër, si njeri flas; po edhe dhiatë njeriu, pasi vërtetohet, asnjeri nuk e hedh poshtë, a shton gjë në atë. Edhe premtimet iu thanë Abrahamit edhe farës së tij; nuk thotë: Edhe farave, si për shumë, po si për një: “Edhe farës sate”, që është Krishti. Edhe këtë e them, se dhiatën që qe vërtetuar më përpara prej Perëndisë në Krishtin, ligji që u bë pas katërqind e tridhjetë vjetësh nuk e hedh poshtë që të prishë premtimin. Sepse në qoftë se trashëgimi është prej ligji, nuk është më prej premtimi; po Perëndia ia fali këtë Abrahamit me anë të premtimit.
Përse pra u dha ligji? U shtua për shkak të shkeljeve, deri sa të vinte fara, së cilës i qe bërë premtimi; edhe ky ligj u urdhërua me anë të engjëjve me dorë ndërmjetësi. Edhe ndërmjetësi nuk është vetëm i njërit; po Perëndia është një.
Ligji pra qenka kundër premtimeve të Perëndisë? Larg qoftë! Sepse në është dhënë ligj që mund të japë jetë, atëherë drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit. Por shkrimi i mbylli të gjitha nën mëkat, që t’u jepet premtimi prej besimit në Jisu Krishtin atyre që besojnë.
Edhe Jisui plot me Frymë të Shenjtë u kthye nga Jordani; edhe u pru me anë të Frymës në shkretëtirë, ku ishte duke u ngarë nga djalli dyzet ditë.
Edhe nuk hëngri asgjë në ato ditë; edhe si u mbushën ato, pastaj i erdhi uri. Edhe djalli i tha: Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë.
Edhe Jisui iu përgjigj atij, duke thënë: Eshtë shkruar “Se njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, po me çdo fjalë të Perëndisë”.
Edhe djalli e hipi mbi një mal të lartë, e i tregoi atij gjithë mbretëritë e botës në një grimë kohe. Edhe djalli i tha: Ty do të ta jap tërë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse mua më është dhënë, dhe kujt të dua ia jap. Nëse ti pra falesh përpara meje, e gjitha do të jetë jotja.
Po Jisui u përgjigj e i tha: Shporru prapa meje, Satana, sepse është shkruar: “Zotit Perëndisë tënd, do t’i falesh, edhe vetëm atë do të adhurosh”.
Edhe ai e pruri atë në Jerusalem dhe e vendosi mbi majën e tempullit, edhe i tha: Nëse je i Biri i Perëndisë, hidhe veten tënde së këtejmi poshtë. Sepse është shkruar: “Se do të urdhërojë engjëjt e tij për ty, që të të ruajnë”; edhe “Se do të të ngrenë ty mbi duar, që të mos përpjekësh këmbën tënde në gur”.
Edhe Jisui u përgjigj e i tha se është thënë: “Nuk do të ngasësh Zotin Perëndinë tënd”.
Edhe djalli pasi mbaroi çdo ngasje, u largua prej tij deri në një kohë.
Edhe Jisui u kthye me fuqinë e Frymës në Galile; edhe doli zë për të në gjithë vendin për rreth. Edhe ai i mësonte nëpër sinagogat e tyre, duke u lavdëruar prej të gjithëve.