E enjte, 22 shtator 2022 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - Galatianëve 3:23-4:5.

Edhe përpara se të vinte besimi, ruheshim nën ligj, të mbyllur brenda në besimin, i cili ishte për t’u zbuluar. Prandaj ligji u bë mësuesi ynë në Krishtin, që të drejtësohemi prej besimit. Por si erdhi besimi, nuk jemi më nën mësues. Sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit që është në Krishtin Jisu. Sepse sa u pagëzuat në Krishtin, në Krishtin u veshët. Nuk ka më Jude as Grek; nuk ka më shërbëtor, as të lirë; nuk ka më mashkull e femër; sepse ju të gjithë jeni në Krishtin Jisu. Edhe në jeni ju të Krishtit, atëherë jeni farë e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit. Edhe them se, sa kohë trashëgimtari është foshnjë, nuk dallon fare nga shërbëtori, ndonëse është i zoti i të gjithave; por është nën mbikqyrës e kujdestarë, deri në kohën e caktuar nga i ati. Kështu edhe ne, kur ishim foshnja, ishim robër nën elementë te botës; po kur erdhi plotësia e kohës, Perëndia dërgoi të Birin, që lindi prej gruaje dhe që ishte nën ligj, që të shpërblejë ata që ishin nën ligj, që të marrin birësinë.

UNGJILLI - Llukai 4:16-22.

Edhe erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur; edhe sipas zakonit të tij hyri në sinagogë ditën e shtunë, edhe u ngrit të lexojë. Edhe iu dha libri i profetit Isaia; dhe si hapi librin gjeti vendin, ku ishte shkruar: “Fryma e Zotit është mbi mua; prandaj më leu me vaj; më dërgoi t’u ungjillëzoj të varfërve, të shëroj ata që kanë zemrën të thyer, t’u predikoj skllevërve liri, edhe të verbërve rihapjen e syve, edhe të dërgoj të shtypurit në liri; të shpall vit të pranuar nga Zoti”. Edhe si mbylli librin, ia dha prapë shërbyesit, edhe ndenji; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë ishin ngulur mbi të. Edhe zuri t’u thoshte atyre se sot u përmbush ky shkrim në veshët tuaj. Edhe të gjithë dëshmonin për të, dhe çuditeshin për fjalët e hirit që dilnin prej gojës së tij, dhe thoshin: A nuk është ky i biri i Josifit?