E mërkurë, 28 shtator 2022 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - Galatianëve 6:2-10.

Mbajani barrët njëri-tjetrit, edhe kështu përmbushni ligjin e Krishtit. Sepse në i duket ndonjërit se diç është, duke qenë asgjë, gënjen vetveten. Por gjithësecili le të provojë punën e tij, dhe vetëm atëherë do të ketë përse të mburret për vetveten, edhe jo për tjetrin. Sepse gjithësecili do të mbajë barrën e vet. Edhe atij që i mësohet fjala, le të bëjë pjesëtar në të gjitha të mirat atë që e mëson. Mos u gënjeni, Perëndia nuk përbuzet; sepse ç’të mbjellë njeriu, këtë edhe do të korrë. Sepse ai që mbjell në mish të tij, prej mishit do të korrë prishje; por ai që mbjell në Frymë, prej Frymës do të korrë jetë të përjetshme. Le të mos ligështohemi pra duke bërë të mirën, sepse po të mos ligështohemi, do të korrim në kohën e duhur. Prandaj deri sa kemi kohë, le të punojmë të mirën në të gjithë, e më fort në ata që janë në një besim me ne.

UNGJILLI - Llukai 5:33-39.

Edhe ata i thanë: Pse nxënësit e Joanit agjërojnë dendur dhe bëjnë lutje, gjithashtu edhe ata të Farisenjve, por të tutë hanë e pinë? Edhe ai u tha atyre: Mos mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë deri sa të jetë dhëndri bashkë me ta? Po kanë për të ardhur ditë kur do të merret dhëndri prej tyre; atëherë në ato ditë do të agjërojnë. Edhe u thoshte atyre edhe një paravoli, se asnjë nuk vë arnë prej rrobe të re mbi rrobë të vjetër; përndryshe, edhe të renë do ta çjerrë, edhe arna prej së resë nuk shkon me të vjetrën. Edhe asnjë nuk vë verë të re në shakuj të vjetër; përndryshe, vera e re do t’i plasë shakujt, edhe ajo do të derdhet, dhe shakujt do të prishen. Po vera e re duhet të vihet në shakuj të rinj, edhe kështu të dyja ruhen. Edhe asnjë, pasi të pijë verë të vjetër, nuk do menjëherë të re, sepse thotë, e vjetra është më e mirë.