Pavli, apostull i Jisu Krishtit me vullnetin e Perëndisë, shenjtëve që janë në Efes dhe besimtarëve në Krishtin Jisu, hir mbi ju dhe paqe prej Perëndisë, Atit tonë, dhe prej Zotit Jisu Krisht.
I bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jisu Krisht, që na bekoi me çdo bekim shpirtëror në vendet qiellore me anë të Krishtit, siç edhe na zgjodhi ne me anë të tij para se të themelohet bota, që të jemi shenjtorë dhe të paqortueshëm përpara tij në dashuri, duke na paracaktuar për birësim tek vetë ai me anë të Jisu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të tij, për mburrje të lavdisë së hirit të tij, të cilin na e dhuroi me anë të të Dashurit të tij, tek i cili kemi shpërblimin me anë të gjakut të tij, ndjesën e fajeve, sipas pasurisë së hirit të tij, të cilin na e dha me të tepërt me çdo urtësi e mençuri, duke na njohur misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që e pati paracaktuar në vetvete.
Edhe ndodhi që në ato ditë doli në mal të lutej, edhe e kalonte tërë natën duke iu lutur Perëndisë.
Edhe kur u bë ditë, thirri nxënësit e tij, edhe zgjodhi nga ata dymbëdhjetë, edhe i quajti apostuj: Simonin, të cilin edhe e quajti Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakovin dhe Joanin, Filipin e Bartolomeun, Mattheun dhe Thomain, Jakovin e Alfeut, dhe Simonin, e quajtur Zeloti, Judën e Jakovit, dhe Juda Iskariotin, i cili edhe u bë tradhtar.
Edhe zbriti bashkë me ata e qëndroi në një vend të sheshtë; edhe ishin grumbulli i nxënësve të tij dhe një turmë e madhe populli nga gjithë Judea dhe nga Jerusalemi, edhe nga bregdeti i Tirit e i Sidonës, të cilët erdhën të dëgjonin atë, edhe të shëroheshin nga sëmundjet e tyre, edhe ata që mundoheshin prej frymëve të ndyra, dhe shëroheshin.
Edhe gjithë turma kërkonte ta prekte; sepse dilte fuqi prej tij, edhe i shëronte të gjithë.