E mërkurë, 12 tetor 2022 – Leximet biblike

APOSTULLI - Efesianëve 5:25-33.

Ju burrat duajini gratë tuaja, siç deshi edhe Krishti kishën, edhe dha veten e tij për të, që ta shenjtërojë, duke e pastruar atë me larjen e ujit, me anë të fjalës; që ta nxjerrë atë përpara vetes kishë të lavdishme, pa pasur njollë, ose rrudhë, a ndonjë të tillë, por që të jetë e shenjtë e patëmetë. Kështu e kanë për detyrë burrat të duan gratë e tyre, si trupat e tyre. Ai që do gruan e tij, do veten e tij. Sepse askush ndonjëherë s’e urreu trupin e tij, po e ushqen dhe e ngroh, sikurse edhe Zoti kishën. Sepse jemi pjesë të trupit të tij, prej mishit të tij dhe prej eshtrave të tij. “Prandaj njeriu do të lerë të atin e të ëmën dhe do të ngjitet pas gruas së tij, edhe do të jenë të dy një mish.” Ky mister është i madh; por unë e them për Krishtin dhe për kishën. Po edhe ju, secili veç e veç kështu le ta dojë gruan e tij si veten e tij; edhe gruaja le t’i druhet burrit.

UNGJILLI - Llukai 8:22-25.

Edhe ndodhi që një ditë hipi në lundër ai dhe nxënësit e tij, edhe u tha atyre: Le të hidhemi në anën e përtejme të liqenit. Edhe u nisën. Edhe ndërsa ata ishin duke lundruar, e zuri gjumi. Edhe zbriti një stuhi ere në liqen; edhe lundra po mbushej me ujë, edhe ishin në rrezik. Edhe ata erdhën pranë atij dhe e zgjuan, duke thënë: Mjeshtër, mjeshtër, po humbim. Edhe ai u ngrit e qortoi erën dhe valën e ujit; edhe pushuan e u bë bunacë. Edhe u tha atyre: Ku është besimi juaj? Edhe ata u frikësuan e u çuditën, duke i thënë njëri-tjetrit: Vallë, cili është ky që urdhëron edhe erërat edhe ujin, edhe i binden?