E mërkurë, 19 tetor 2022 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Veprat e Apostujve 2:14-21.

Po Pjetri qëndroi bashkë me të njëmbëdhjetët, edhe ngriti zërin e tij edhe u ligjëroi atyre: O burra Judenj dhe gjithë sa rrini në Jerusalem, le të jetë e ditur kjo ndër ju, e vëruni veshin fjalëve të mia. Sepse këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju; sepse tani është ora e tretë e ditës. Po kjo është ajo që është thënë me anë të profetit Joel: “Edhe në ditën e fundit, thotë Perëndia, do të derdh nga Fryma ime mbi çdo mish; edhe do të profetizojnë bijtë tuaj dhe bijat tuaja, edhe djemtë tuaj do të shohin vegime, edhe pleqtë tuaj do të ëndërrojnë ëndrra. Edhe mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia në ato ditë do të derdh nga Fryma ime; edhe do të profetizojnë. Edhe do të bëj çudira lart në qiell dhe shenja poshtë mbi dhe, gjak e zjarr e avull tymi. Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë e madhja dhe e shquara ditë e Zotit. Edhe kushdo që të thërresë në emrin e Zotit, do të shpëtojë”.

UNGJILLI - Llukai 9:44-50.

Ju vini në veshët tuaj këto fjalë; sepse i Biri i njeriut do të jepet në duart e njerëzve. Po ata nuk e kuptonin këtë fjalë, dhe ishte e fshehur prej tyre që të mos e kuptonin; dhe kishin frikë ta pyetnin për këtë fjalë. Edhe hyri një mendim tek ata: Cili vallë nga ata ishte më i madh. Edhe Jisui, kur pa mendimin e zemrës së tyre, mori një fëmijë, edhe e vuri pranë vetes. Edhe u tha atyre: Ai që të presë këtë fëmijë në emrin tim, më pret mua; edhe ai që të më presë mua, pret atë që më dërgoi mua; sepse ai që është më i vogël ndër gjithë ju, ky është më i madh. Edhe Joani u përgjigj e tha: Mjeshtër, pamë një njeri që nxirrte demonë në emrin tënd; dhe e ndaluam, sepse nuk vjen pas bashkë me ne. Edhe Jisui i tha: Mos e ndaloni, sepse ai që s’është kundër nesh, është me ne.