E enjte, 20 tetor 2022 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Filipianëve 1:20-27.

Sipas të priturit me padurim edhe sipas shpresës sime se nuk do të turpërohem në asgjë, po me çdo guxim, si gjithmonë, edhe tani do të madhërohet Krishti në trupin tim, ose me anë jete, ose me anë vdekjeje. Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit është fitim. Po në qoftë se të jetuarit në mishin tim është që të sjellë fryt puna ime, atëherë nuk di ç’të zgjedh. Sepse shtrëngohem nga të dyja, duke pasur nga një anë dëshirën të iki e të jem bashkë me Krishtin; sepse kështu është shumë më mirë; po nga ana tjetër qëndrimi im në mish është më i nevojshëm për ju. Edhe këtë me siguri e di se do të mbetem dhe do të qëndroj bashkë me të gjithë ju, për mbarësinë tuaj e për gëzimin tuaj në besim, që të teprojë nëpërmjet meje mburrja juaj në Krishtin Jisu, me ardhjen time përsëri tek ju. Vetëm silluni e jetoni denjësisht në ungjillin e Krishtit, që të dëgjoj për ju, a kur të vij e t’ju shoh, a për së largu kur s’jam aty, se qëndroni në një frymë, duke u përpjekur së bashku me një shpirt për besimin e ungjillit.

UNGJILLI - Llukai 9:49-56.

Edhe Joani u përgjigj e tha: Mjeshtër, pamë një njeri që nxirrte demonë në emrin tënd; dhe e ndaluam, sepse nuk vjen pas bashkë me ne. Edhe Jisui i tha: Mos e ndaloni, sepse ai që s’është kundër nesh, është me ne. Edhe ndodhi që kur po mbusheshin ditët e ngjitjes së tij në qiejt atëherë ai vuri syrin për të shkuar në Jerusalem. Edhe dërgoi lajmëtarë përpara tij, të cilët si shkuan, hynë në një fshat të samaritanëve, për të bërë gati vend për të. Edhe nuk e pritën atë, sepse ai ishte duke shkuar në Jerusalem. Edhe nxënësit e tij Jakovi e Joani kur panë, thanë: Zot, a do që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i shfarosë, siç bëri edhe Ilia? Po ai u kthye e i qortoi dhe tha: Ju nuk e dini të çfarë fryme jeni. Biri i njeriut nuk erdhi të humbë shpirtra njerëzish, por të shpëtojë. Edhe shkuan në tjetër fshat.