Ese mbi udhëtimin shpirtëror në Manastirin e Hirshëm të Shën Vlashit.

Ese mbi udhëtimin shpirtëror në Manastirin e Hirshëm të Shën Vlashit.

Të shtunën në dt 22.10.2022 një grup vajzash nga rinia Ortodokse e Tiranës u nisën drejt Manastirit të Hirshëm të Shën Vlashit. Qëndrimi ynë atë mbrëmje do të ishte në Skitin e Miroprurëseve në godinën e ndërtuar me fondet e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit edhe Gjithë Shqipërisë Imzot Anastasi. Sapo mbërritëm u pritëm përzemërsisht nga motër Rakela. Shërbesa e parë ku morëm pjesë ishte Mbrëmësorja. Më tej vijuam me një vizitë të shkurtër në shtëpinë e fëmijëve”Shpresa”. Fëmijëve ju shpërndamë disa dhurata simbolike por mbi të gjitha shkëmbyem emocione të sinqerta dhe të vërteta. Këngët dhe ndonjë shaka e çiltër na miqësuan me njëri-tjetrin duke na kujtuar se prania e Krishtit vetëm mund të na bashkojë. U larguam nga Shtëpia e Fëmijëve ”Shpresa” me ndjesinë e rilindur se Zoti është gjithmonë pranë fëmijëve dhe ëndrrave të tyre. Darka ishte shtruar ne Skitin e Miroprurëseve si të ishte një darkë mes motrave në Krishtin. Heshtja dhe me tej bisedat e natyrshme të një darke në Manastir lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën dhe vetdijen tonë. Në Manastire përpikëmëria në orare është shumë e domosdoshme dhe ndaj menjëherë pas darkës u drejtuam në Kishëzën e vogël Skiti i Miroprurëseve për të kryer shërbesën e Pasdarkës së vogël. Motër Rakela pas shërbesës na ftoi në një bisedë me të ku ndau me ne këshilla nga thesaret e pamatshme të besimit tonë orthodhoks. Ajo u interesua për secilën nga ne me shumë dhembshuri dhe kujdes. Dhomat ishin të përgatitura tashmë për një natë të shenjtë dhe të bekuar. Mëngjesi i ditës tjetër filloi me Shërbesën e Mëngjesores në oren 07:30 në kishën e Manastirit të Shën Vlashit. Në praninë e shumë besimtarëve dhe anëtarëve të tjerë të Rinisë Orthodhokse u kremtua Liturgjia Hyjnore e ditës së diel siç njihet edhe Dita e Zotit. Pas mëngjesit, në ambjentet e mensës Akademia Theologjike “Ngjallja e Krishtit” u nisëm për një tur të vogël në ambjentet mjaft tërheqëse dhe motivuese të Manastirit. Shenjtori Shën Vlash ka pasur një lidhje të fortë me studimin e vecanërisht studimin teologjik dhe për përkujdesjen shpirtërore të fëmijëve. Bibloteka me mijra tituj librash, kishëza e dedikuar studentëve , ambjentet sportive si edhe konviktet bashkohore dhe komode të ftonin për një udhëtim të gëzueshme drejt dijes dhe Perëndisë. Nuk kishte si mos të na percillte motër Rakela me butësinë dhe delikatesën femërore që rrallë herë e gjejmë në ambjentet tona shoqërore. Destinacioni i fundit ishte shëtitja buzëdetit të Durrësit dhe një kafe në natyrën kurative të bregdetit. ”Të mos jemi hipokrit dhe të luftojmë hipokrizinë qoftë edhe brenda nesh”. Me keto mesazhe që bien si kambanat e Kishës u kthyem ne shtëpitë tona me besimin se Krishti do të triumfoj siç është parathënë!