E mërkurë, 2 nëntor 2022 – Leximet biblike

APOSTULLI - Kolosianëve 1:18-23.

Jisui është kreu i trupit, i kishës; ai është nisja, i parëlinduri prej të vdekurve, që të bëhet ai i parë në të gjitha. Sepse në atë i pëlqeu Atit të rrijë gjithë plotësia, edhe me anë të tij t’i pajtojë të gjitha me veten, duke paqtuar me anë të gjakut të kryqit të tij, me anë të atij, edhe ato që janë mbi dhe, edhe ato që janë në qiejt. Edhe ju, që ishit dikur të huaj dhe armiq nga mendja me punët e liga, tani ju pajtoi me Perëndinë në trupin e mishit të tij, me anë të vdekjes, që t’ju nxjerrë përpara vetes së tij shenjtorë e të patëmetë e të pafajshëm, në qëndrofshi në besim të themeluar e të patundur, e të mos luani nga shpresa e ungjillit që dëgjuat, i cili u predikua në gjithë krijimin që është nën qiell, ungjill të cilit unë Pavli iu bëra shërbëtor.

UNGJILLI - Llukai 11:42-46.

Po mjerë ju Farisenjtë! Sepse jepni të dhjetën e mendrës e të ryzës e të çdo barishteje, edhe lini mënjanë gjyqin dhe dashurinë e Perëndisë. Edhe këto duhej t’i bënit, edhe ato të mos i linit. Mjerë ju Farisenjtë! Sepse doni vendin e parë nëpër sinagogat dhe përshëndetjet nëpër tregjet. Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, se jeni si varret që s’duken, edhe njerëzit që ecin përsipër nuk e dinë. Edhe një nga mësuesit e ligjit u përgjigj e i tha: Mësues, duke thënë këto na shan edhe ne. Edhe ai tha: Mjerë edhe ju mësuesit e ligjit! Sepse ngarkoni njerëzit me barrë që mezi mbahen, edhe ju as me njërin prej gishtave tuaj nuk i prekni barrët.