E mërkurë, 9 nëntor 2022 – Leximet biblike

APOSTULLI - Kolosianëve 3:17-4:1

Edhe çdo gjë që të bëni me fjalë ose me punë, të gjitha t’i bëni në emër të Zotit Jisu, duke falënderuar Perëndinë dhe Atin me anë të tij. Ju gratë ulini kryet burrave tuaj, siç i ka hie në Zotin. Ju burrat duajini gratë tuaja dhe mos i hidhëroni ato. Ju bijtë bindjuni prindërve tuaj për të gjitha, sepse kjo është e pëlqyeshme për Zotin. Ju etërit mos i zemëroni bijtë tuaj, që të mos u ligështohet zemra. Ju shërbëtorët, bindjuni në gjithçka zotërinjve tuaj sipas mishit, jo duke u shërbyer vetëm përpara syve, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, po me thjeshtësi zemre, duke pasur frikë nga Perëndia. Edhe çdo gjë që bëni, me shpirt bëjeni, si Zotit, e jo njerëzve, duke ditur se prej Zotit keni për të marrë shpërblimin e trashëgimit; sepse Zotit Krisht i shërbeni. Po ai që punon padrejtësi, do të marrë shpërblimin e padrejtësisë së tij, sepse s’ka mbajtje ane. Ju zotërinjtë jepuni shërbëtorëve tuaj të drejtën dhe sa u takon, duke ditur se edhe ju keni Zot në qiej.

UNGJILLI - Llukai 12:48-59.

Edhe gjithkujt që iu dha shumë, shumë do të kërkohet prej tij; edhe atij që iu besuan shumë, më shumë do të kërkojnë prej tij. Erdha të vë zjarr mbi dhe; edhe ç’dua më, në qoftë se u ndez tani? Edhe kam një pagëzim me të cilin do të pagëzohem, edhe sa shtrëngim kam deri sa të mbarohet? Pandehni se kam ardhur të jap paqe mbi dhe? Jo, po ju them juve, po ndarje. Sepse që nga tani pesë veta në një shtëpi do të jenë të ndarë, tre kundër dyve, edhe dy kundër treve. Do të ndahet i ati kundër të birit, edhe i biri kundër të atit; e ëma kundër së bijës, edhe e bija kundër së ëmës; vjehrra kundër nuses së saj, edhe nusja kundër së vjehrrës. I thoshte edhe turmës: Kur shihni renë se del prej perëndimit, menjëherë thoni: Po vjen shi; edhe kështu bëhet. Edhe kur shihni, se fryn erë jugu, thoni se do të bëjë vapë; edhe bën. Hipokritë, faqen e dheut e të qiellit dini ta dalloni; po këtë kohë si nuk e dalloni? Edhe pse nuk gjykoni edhe prej vetes suaj të drejtën? Sepse kur shkon pra tek sundimtari bashkë me ndërgjyqësin tënd, përpiqu udhës të shpëtosh prej tij, se mos të të heqë zvarrë tek gjykatësi, edhe gjykatësi të dorëzon te roja, edhe roja të hedh në burg. Po të them ty: Nuk ke për të dalë andej, deri sa të lash edhe qindarkën e fundit.