E enjte, 10 nëntor 2022 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Kolosianëve 4:2-9

Qëndroni në lutje, duke ndenjur zgjuar në të me falënderime; duke u lutur në të njëjtën kohë edhe për ne, që të na hapë Perëndia derën e fjalës, që të themi misterin e Krishtit, për të cilin edhe jam burgosur; që ta shfaq atë, sikurse më duhet të flas. Ecni me urtësi para atyre që janë jashtë, duke fituar kohën. Fjala juaj le të jetë përherë me hir, e ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithësecilit. Gjithë punët e mia do t’jua tregojë Tihiku, vëllai i dashur, edhe punëtor besnik e shërbëtor bashkë me mua në Zotin, të cilin e dërgova tek ju pikërisht për këtë, që të marrë vesh punët tuaja dhe të ngushëllojë zemrat tuaja; bashkë me Onisimin, vëllain besnik e të dashur, i cili është prej jush. Ata do t’ju rrëfejnë të gjitha të këtushmet.

UNGJILLI - Llukai 13:1-9.

Edhe në atë kohë ishin atje pranë disa veta duke i treguar atij për galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e përzjeu bashkë me therorët e tyre. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Pandehni se këta galileas ishin më fajtorë se gjithë galileasit e tjerë, nga që pësuan gjëra të tilla? Jo, po ju them juve; po në mos u pendofshi, të gjithë kështu keni për të humbur. Apo ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra pirgu në Siloam, edhe i vrau, pandehni, se këta ishin fajtorë më tepër se gjithë njerëzit që rrinë në Jerusalem? Jo, po ju them juve; po në mos u pendofshi, kështu të gjithë keni për të humbur. Edhe thoshte këtë paravoli: Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij; edhe erdhi të kërkonte fryte në të, po nuk gjeti. Edhe i tha vreshtarit: Ja kam tre vjet që vij të kërkoj fryte në këtë fik dhe nuk gjej. Preje. Pse të zërë edhe vendin më kot? Po ai u përgjigj e i tha: Zot, lëre edhe këtë vit, deri sa të rrëmih rreth tij e t’i hedh pleh. Edhe në bëftë fryte, lëre; në mos, do ta presësh pastaj.