Edhe ju bëtë sikundër bëmë ne edhe Zoti, sepse e pritët fjalën në shtrëngim të madh, po me gëzim të Frymës së Shenjtë; aq sa u bëtë shembull për të gjithë besimtarët në Maqedoni e në Akai.
Sepse prej jush jehoi fjala e Zotit, jo vetëm në Maqedoni e në Akai, po edhe në çdo vend arriti besimi juaj në Perëndinë, kaq sa ne s’kemi nevojë të flasim gjë; sepse vetë ata tregojnë për ne, çfarë hyrjeje patëm ndër ju, edhe si u kthyet nga idhujt tek Perëndia, që t’i shërbeni Perëndisë së gjallë e të vërtetë, edhe të prisni Birin e tij nga qiejt, të cilin e ngjalli prej së vdekurish, Jisuin, që na shpëton nga zemërimi që vjen.
Edhe turma të shumta shkonin bashkë me të; edhe ai u kthye e u tha atyre: Në ardhtë ndonjë tek unë dhe nuk urren të atin e të ëmën e gruan e djemtë e vëllezërit e motrat, po edhe jetën e tij, nuk mund të jetë nxënësi im. Edhe ai që nuk mban kryqin e tij e s’vjen pas meje nuk mund të jetë nxënësi im. Sepse, cili prej jush do që të ndërtojë një pirg, edhe nuk rri më përpara të llogarisë shpenzimin, nëse i ka ato që duhen për ta mbaruar? Se mos, si të hedhë themelin e të mos mundë ta mbarojë, gjithë ata që e shohin zënë të qeshin me të, duke thënë se: Ky njeri nisi të ndërtojë, edhe nuk mundi të mbarojë. Apo cili mbret, që shkon të luftojë me një mbret tjetër, nuk rri më parë dhe nuk mendohet në është i fortë me dhjetë mijë veta t’i dalë përpara atij që vjen kundër tij me njëzet mijë? Se përndryshe, ndërsa ai është ende larg, nis dërgatë e kërkon paqe. Kështu pra, gjithësecili prej jush që nuk mohon gjithë sa ka, nuk mund të jetë nxënësi im.
Kripa është e mirë; po në u prishtë kripa, me se do të ndreqet? Nuk është e përshtatshme as për dhé as për pleh; por e hedhin jashtë. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.