Sepse e mbani mend, o vëllezër, lodhjen dhe mundimin tonë; sepse duke punuar natë e ditë, që të mos i bëhemi barrë ndonjërit prej jush, predikuam ungjillin e Perëndisë tek ju.
Ju jeni dëshmitarë edhe Perëndia, se me shenjtëri e me drejtësi e patëmetë kemi qenë tek ju që besoni; sikundër e dini, se gjithësecilin prej jush e nxitnim dhe e ngushëllonim, si një atë bijtë e tij, që të ecni siç është denjë për Perëndinë, që ju thirri në mbretërinë e në lavdinë e tij.
Prandaj edhe ne falënderojmë Perëndinë pa pushim, se kur morët fjalën e Perëndisë që dëgjuat prej nesh, e pritët atë jo si fjalë njerëzish, po siç është me të vërtetë, fjalë Perëndie, e cila vihet në veprim ndër ju që besoni. Sepse ju, o vëllezër, bëtë sikundër bënë kishat e Perëndisë, që janë në Jude në Krishtin Jisu, se edhe ju pësuat po ato prej bashkëkombasve tuaj, sikurse edhe ata prej Judenjve.
U thoshte edhe nxënësve të tij:
Ishte një njeri i pasur që kishte një kujdestar, edhe i folën keq për të, se shpërdoronte pasurinë e tij. Edhe ai e thirri e i tha: Ç’është kjo që dëgjoj për ty? Jep llogarinë e kujdestarisë sate; sepse nuk mund të jesh më kujdestari im. Atëherë kujdestari tha me veten e tij: Ç’të bëj, se im zot po më heq kujdestarinë? Të gërmoj nuk mundem, të lyp kam turp. E mendova çfarë të bëj, që të më presin nëpër shtëpitë e tyre, kur të largohem nga kujdestaria.
Edhe thirri pranë një nga një huamarrësit e të zotit, e i thoshte të parit: Sa i detyrohesh tim zoti? Edhe ai i tha: Njëqind bucela vaji. Edhe ai i tha: Merr shkresën tënde dhe rri e shkruaj shpejt pesëdhjetë.
Pastaj i tha një tjetri: Po ti sa i detyrohesh? Edhe ai i tha: Njëqind masa gruri. Edhe i thotë atij: Merr shkresën tënde, dhe shkruaj tetëdhjetë.
Edhe i zoti e lavdëroi kujdestarin e padrejtësisë, sepse punoi me mend; se bijtë e kësaj jete janë më të mençur në brezin e tyre, sesa bijtë e dritës.
Edhe unë po ju them juve: Bëni miq për veten tuaj nga mamonai i padrejtësisë, që t’ju presin ju në tendat e përjetshme, kur të ikni së këtejmi.