E premte, 18 nëntor 2022 – Leximet biblike

APOSTULLI - 1 Thesalonikasve 2:14-20

Sepse ju, o vëllezër, bëtë sikundër bënë kishat e Perëndisë, që janë në Jude në Krishtin Jisu, se edhe ju pësuat po ato prej bashkëkombasve tuaj, sikurse edhe ata prej Judenjve, të cilët edhe Zotin Jisu e vranë edhe profetët e tyre, edhe ne na përndoqën, edhe Perëndisë s’i pëlqejnë, edhe gjithë njerëzve u janë kundër; të cilët na ndalojnë t’u flasim kombeve që të shpëtojnë, për të mbushur përherë mëkatet e tyre; por zemërimi arriti mbi ata përfundimisht. Po ne, o vëllezër, të mbetur pa ju për pak kohë larg syve, po jo zemrës, më tepër u përpoqëm me shumë mall të shohim fytyrën tuaj. Prandaj deshëm të vijmë tek ju, më fort unë Pavli, edhe një edhe dy herë, po na ndaloi Satanai. Sepse cila është shpresa jonë, a gëzimi, a kurora e mburrjes përpara Zotit tonë Jisu Krisht në ardhjen e tij në mos qofshi edhe ju? Sepse ju jeni lavdia jonë dhe gëzimi.

UNGJILLI - Llukai 16:15-18, 17:1-4.

Edhe u tha atyre: Ju jeni ata që nxirrni veten tuaj të drejtë përpara njerëzve, po Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që është e lartë për njerëzit, neveri është përpara Perëndisë. Ligji dhe profetët kanë qenë deri te Joani; që nga atëherë jepet lajmi i mirë për mbretërinë e Perëndisë, dhe gjithësecili përpiqet të hyjë në të. Edhe më lehtë është që qielli e dheu të shkojnë, se të bjerë një pikë nga ligji. Kushdo që lë gruan e tij dhe martohet me tjetër, shkel kurorën; edhe kushdo që martohet me grua të lënë prej burrit, shkel kurorën. Edhe u thoshte nxënësve të tij: Eshtë e pamundur të mos vijnë skandalet; po mjerë ai, me anë të të cilit vijnë. Më mirë është për atë t’i varet një gur mulliri rreth qafës së tij dhe të hidhet në det, se të skandalizojë një nga këta të vegjlit. Vini re veten tuaj. Edhe në të bëftë mëkat yt vëlla, qortoje; edhe në u pendoftë, falja. Edhe në bëftë mëkat shtatë herë në ditë, edhe të kthehet shtatë herë në ditë tek ti e të thotë: Pendohem, t’ia falësh.