Por Perëndia, që është i pasur në përdëllim, për dashurinë e tij të shumtë me të cilën na deshi, edhe duke qenë të vdekur për fajet, na dha neve jetë bashkë me Krishtin; nga hiri jeni të shpëtuar. Edhe na ngjalli bashkë, edhe na vuri të rrimë bashkë në vendet qiellore me anë të Krishtit Jisu, që të tregojë në jetët që vijnë pasurinë e tepërt të hirit të tij me anë të mirësisë që ka për ne me anë të Krishtit Jisu.
Sepse nga hiri jeni të shpëtuar me anë të besimit; edhe kjo jo prej jush, po është dhurata e Perëndisë, jo prej veprash, që të mos mburret ndonjë.
Sepse jemi krijesë e tij, të krijuar në Krishtin Jisu për vepra të mira, të cilat i parapërgatiti Perëndia, që të ecim në to.
Edhe u tha atyre një paravoli, duke thënë: Një njeriu të pasur i erdhën mbarë arat. Edhe mendohej me veten e tij, duke thënë: Ç’të bëj? Se s’kam ku të mbledh prodhimet e mia. Pastaj tha: Këtë kam për të bërë, do të prish grunarët e mi dhe do t’i bëj më të mëdhenj, dhe do të mbledh atje gjithë drithin tim dhe të mirat e mia.
Edhe do t’i them shpirtit tim: O shpirt, ke shumë të mira që gjenden për shumë vjet; prehu, ha, pi, dhe gëzohu.
Po Perëndia i tha: I marrë, këtë natë do të kërkojnë prej teje shpirtin tënd. Dhe të kujt do të jenë sa bëre gati? Kështu do të jetë ai që mbledh thesarë për veten e tij dhe nuk bëhet i pasur në Perëndinë.