E shtunë, 19 nëntor 2022 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 2 Korinthianëve 8:1-5.

Edhe ju bëjmë të ditur, o vëllezër, hirin që u është dhënë nga Perëndia kishave të Maqedonisë; se, ndonëse ishin në provë të madhe shtrëngimi, tepria e gëzimit të tyre dhe varfëria e tyre e thellë gëluan në pasurinë e bujarisë së tyre. Edhe dëshmoj këtë, se sipas fuqisë së tyre dhe përmbi fuqinë e tyre dhanë duke dashur vetë. Me shumë përgjërim na u lutën neve të pranojmë dhuratën dhe pjesën e tyre të shërbesës që është për shenjtët. Edhe nuk dhanë vetëm sa shpresonim, po ia dhanë më përpara veten e tyre Zotit, pastaj neve me vullnetin e Perëndisë.

UNGJILLI - Llukai 9:57-62.

Edhe ndodhi që kur ata po ecnin udhës, dikush i tha: Zot, do të të vij pas kudo që të shkosh. Edhe Jisui i tha atij: Dhelprat kanë strofka, edhe zogjtë e qiellit çerdhe; po Biri i njeriut s’ka ku të mbështesë kryet. Edhe i tha një tjetri: Eja pas meje. Edhe ai i tha: Zot, lermë më përpara të shkoj e të varros tim atë. Po Jisui i tha: Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre; ndërsa ti shko, e lajmëro për mbretërinë e Perëndisë. Po edhe një tjetër tha: Zot, do të vij pas teje; po lermë më përpara të përshëndetem me ata të shtëpisë sime. Po Jisui i tha: Kush vë dorën e tij mbi parmendë dhe vështron prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.