E mërkurë, 23 nëntor 2022 – Leximet biblike

APOSTULLI - 1 Thesalonikasve 4:1-12

Së fundi pra, o vëllezër, ju lutemi dhe ju nxisim me anë të Zotit Jisu, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni dhe t’i pëlqeni Perëndisë, kështu të teproni shumë e më shumë. Sepse e dini çfarë porosish ju lamë me anë të Zotit Jisu. Sepse kjo është dëshira e Perëndisë, shenjtërimi juaj: të hiqni dorë nga kurvëria; të dijë gjithësecili prej jush të mbajë enën e tij me shenjtërim e me nder; jo në pësim dëshirimi, ashtu si edhe kombet që s’njohin Perëndinë. Të mos kapërcejë ndonjë e t’i bëjë keq të vëllait në këtë punë; sepse Zoti është shpagimtar për gjithë këto; sikurse edhe jua thamë juve më përpara, edhe me dëshmi jua vërtetuam. Sepse Perëndia nuk na thirri në papastërti, po në shenjtërim. Prandaj ai që hedh tej këto, nuk hedh tej njeri, po Perëndinë, që na dha neve Frymën e tij të Shenjtë. Edhe për dashurinë vëllazërore s’keni nevojë t’ju shkruajmë, se ju vetë jeni të mësuar prej Perëndisë që të doni njëri-tjetrin; sepse edhe e bëni këtë për të gjithë vëllezërit që janë në gjithë Maqedoninë. Po ju lutemi, o vëllezër, të teproni në këtë shumë e më shumë. Edhe ta keni për nder të rrini urtë e të shikoni punët tuaja, edhe të punoni me duart tuaja, siç ju porositëm, që të ecni para atyre që janë jashtë siç ka hije, edhe të mos keni nevojë për asgjë.

UNGJILLI - Llukai 18:15-17, 26-30.

Edhe i prunë atij edhe foshnjat që t’i prekte; edhe nxënësit kur i panë, i qortuan. Por Jisui, si i thirri pranë, tha: Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni; sepse e të këtillëve është mbretëria e Perëndisë. Me të vërtetë po ju them juve, ai që nuk do të presë mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të. Edhe ata që dëgjuan thanë: E kush mund të shpëtojë? Edhe ai tha: Të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë. Edhe Pjetri tha: Ja ne tek lamë gjithçka dhe të erdhëm pas. Edhe ai u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se nuk ka asnjë që la shtëpi, a prindër, a vëllezër, a grua, a djem, për hir të mbretërisë së Perëndisë, i cili të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në jetën që vjen jetë të përjetshme.