E enjte, 24 nëntor 2022 – Leximet biblike

APOSTULLI - Filipianëve 3:20-4:3

Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga ku edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jisu Krisht, i cili do të shndërrojë trupin e përuljes sonë, që të bëhet në një formë me trupin e lavdisë së tij, sipas veprimit me të cilin ai mund edhe t’ia nënshtrojë të gjitha vetvetes. Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur e të përmalluar, gëzimi edhe kurora ime, kështu qëndroni në Zotin, o të dashur. I lutem Evodisë, i lutem edhe Sintikës, të kenë të njëjtën mendje në Zotin. Edhe të lutem edhe ty, o shok i thjeshtë, ndihmoji ato të cilat u munduan për ungjillin bashkë me mua edhe me Klementin edhe me bashkëpunëtorët e tjerë të mi, emrat e të cilëve janë në librin e jetës.

UNGJILLI - Llukai 18:31-34.

Edhe mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha atyre: Ja tek po ngjitemi në Jerusalem, edhe do të përmbushen gjithë sa janë shkruar me anë të profetëve për Birin e njeriut. Sepse do t’u dorëzohet kombeve e do të përqeshet e do të shahet e do të pështyhet, edhe si ta fshikullojnë, do ta vrasin; dhe të tretën ditë do të ngjallet. Po ata nuk morën vesh asgjë nga këto; edhe kjo fjalë ishte e fshehur nga ata, dhe nuk i merrnin vesh ato që thuheshin.