Do të doja të duroni pakëz marrëzinë time; po edhe më duroni, pra. Sepse ju kam zili me zili Perëndie; sepse ju fejova me një burrë, që t’ju nxjerr përpara Krishtit si virgjëreshë të pastër. Por kam frikë, se mos ashtu si gjarpëri gënjeu Evën me dinakërinë e tij, kështu prishet edhe mendja juaj duke rënë nga thjeshtësia që është në Krishtin.
Sepse, në ardhtë ndonjë e t’ju predikojë një tjetër Krisht, që nuk e kemi predikuar, ose merrni një tjetër frymë, që s’e keni marrë, ose një tjetër ungjill, që s’e keni pranuar, mjaft mirë do ta duronit atë. Por pandeh se në asnjë punë s’kam mbetur prapa edhe nga apostujt më të shquar. Edhe ndonëse jam njeri i pastëvitur në fjalë, po jo nga dituria, të cilën jua shfaqëm në gjithçka.
Ja tek po ju jap juve pushtet që të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë, dhe mbi gjithë fuqinë e armikut; dhe asgjë s’do t’ju dëmtojë ju. Po mos u gëzoni për këtë, se ju nënshtrohen juve frymët; por gëzohuni se emrat tuaj u shkruan në qiejt.
Edhe në atë orë Jisui u gëzua në shpirt, edhe tha: Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i dheut, se i fshehe këto nga të diturit e nga të mençurit dhe ua zbulove fëmijëve. Po, o Atë, se kështu u pëlqye prej teje.